
Berisha është mes tre rrugëve: Duhet të zgjedhë Metën, Alibeajn ose bojkotin e zgjedhjeve...
Vendimi i Apelit ditën e sotme ka alarmuar ish-kryeministrin Sali Berisha. Ndonëse dje dhe sot paradite e zbuti retorikën dhe dukej sikur kishte informacione se do dilnin lajme pozitive nga Apeli, në fakt pasditja ishte e zymtë për të.
Apeli vendosi të kthejë në Shkallën e Parë çështjen e vulës dhe në këtë mënyrë u zhbë vendimi që mbante në këmbë Berishën, vendimi i dhënë nga Agron Zhukri. Tani vula zyrtarisht është në duart e Alibeajt dhe kjo do të thotë se në zgjedhjet e 14 majit, Berisha nuk futet dot nën logon e PD.
Pas vendimit ai doli në një konferencë për mediat dhe dukej i pashpresë. Berisha njoftoi se do të mbledhë strukturat, por pa thënë se cila është rruga e tij tani.
“PD është sot një parti më e fuqishme se kurrë. Do mbledhë forumet këto ditë mbi bazën e këtij qëndrimi armiqësor asgjësues të shpallur nga narkoshteti e do marrë vendimet e duhura për të vijuar misionin në mënyrën më të fuqishme”, tha ai.
Tani Berisha ndodhet mes 3 rrugëve. Afati për tu regjistruar në KQZ është 6 marsi dhe Berisha nuk çon dot kandidatë. Për këtë arsye, njëra rrugë është që të hyjë në zgjedhje i maskuar nën logon e PL. Një veprim i tillë do e rrënonte përtokë plakun e “Foltores”, pasi duhet të gjunjëzohet para Ilir Metës, i cili për hir të së vërtetës, mezi po e priste këtë ditë.
Rruga e dytë është të bashkëpunojë me Alibeajn. Ky i fundit sot i hapi rrugën e pajtimit dhe nëse gjendet dakordësia mund të shkojnë bashkë në zgjedhje.
Rruga e tretë është bojkoti i zgjedhjeve. Vetë Berisha ka ditë që jep sinjale se Rama synon t’i përjashtojë nga zgjedhjet, duke bërë gati terrenin e bojkotit.
Se cila rrugë do të ndiqet prej tij do të vendoset nesër dhe pasnesër. Nesër në mesditë, Berisha do të mbledhë Kryesinë e partisë dhe do të diskutohet mbi vendimin e Apelit dhe për hapat që do të ndiqen. Ndërsa të dielën po në orën 12.00, ai ka thirrur Këshillin Kombëtar dhe aty do merret vendimi final. Gjithsesi Berisha ka harruar një fakt: Me vendimin sot Kryesia dhe Këshilli i Kombëtar i tij dalin nul. Mbetet të shihet se çfarë do vendoset, por vendimi i Apelit e ka vënë në vështirësi të madhe Saliun. /Pamfleti