TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Korrik 2026, 13:37

“Dorëheqja është zgjidhja e vetme”, Le Monde: Edi Rama përballet me revoltën më serioze

Shkruar nga Pamfleti
“Dorëheqja është zgjidhja e vetme”, Le Monde: Edi
Momente tensioni gjatë protestave

Sipas Le Monde, "Revolucioni i Flamingove " është shndërruar në sfidën më serioze politike me të cilën është përballur kryeministri Edi Rama që nga ardhja në pushtet në vitin 2013…

Protestat kundër kryeministrit Edi Rama janë përshkallëzuar pas më shumë se një muaji mobilizim të përditshëm. Sipas gazetës franceze Le Monde, demonstratat, të cilat filluan si tubime paqësore, kanë hyrë në një fazë më konfrontuese, duke kulmuar me përplasje pranë Parlamentit dhe arrestimin e 19 protestuesve më 2 korrik.

Për disa javë me radhë, mijëra qytetarë mblidheshin çdo mbrëmje përpara Kryeministrisë në Tiranë për të kërkuar ndalimin e zhvillimeve që, sipas tyre, rrezikojnë bregdetin shqiptar dhe zonat e mbrojtura natyrore. Lëvizja është vetëquajtur "Revolucioni i Flamingove Rozë", një emër që i referohet flamingove dhe specieve të tjera të shpendëve që jetojnë në lagunën e Nartës dhe që, sipas aktivistëve, rrezikohen nga projektet e ndërtimit.

Më 1 dhe 2 korrik, qindra protestues u përpoqën të ndërprisnin zhvillimin e seancave parlamentare duke hedhur vezë drejt deputetëve. Policia reagoi me gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmën, ndërsa arrestoi 19 persona. Sipas Le Monde, ky është numri më i madh i arrestimeve që nga fillimi i protestave.

Organizatorët argumentojnë se vendimi për të ashpërsuar protestat erdhi pasi qeveria refuzoi të dialogojë me ta. Ata kundërshtojnë atë që e quajnë betonizim të pakontrolluar dhe jo transparent të bregdetit shqiptar dhe akuzojnë autoritetet se po favorizojnë investime të mëdha private në dëm të interesit publik.

Një nga figurat më të njohura të protestës, aktivistja feministe dhe antikorrupsion Sidorela Vatnikaj, deklaron se lëvizja nuk beson më se dialogu me qeverinë mund të japë rezultat. Sipas saj, dorëheqja e kryeministrit është bërë kërkesa kryesore, ndërsa protestuesit kërkojnë krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Vatnikaj akuzon qeverinë për autoritarizëm dhe pretendon se Edi Rama ka qëndruar në pushtet falë mbështetjes së krimit të organizuar. Këto janë akuza të bëra nga aktivistja dhe të raportuara nga Le Monde.

Artikulli kujton se Edi Rama drejton qeverinë shqiptare që prej vitit 2013 dhe se gjatë kësaj periudhe ka promovuar një model zhvillimi të bazuar në investime të mëdha ndërtimi dhe transformim urban.

Kryeministër me personalitet të fortë dhe autoritar, Edi Rama e sheh veten si një ndërtues të madh që synon ta transformojë rrënjësisht vendin. Ai ka arritur të tërheqë në Shqipëri disa nga studiot më të mëdha arkitekturore në botë për të ngritur ndërtesa spektakolare, duke ushqyer një bum ndërtimi që, sipas kritikëve, mbështetet pjesërisht në fonde me origjinë të dyshimtë të mafias shqiptare.

Në këtë kuadër, në vitin 2024, Rama arriti një marrëveshje me Jared Kushner dhe Ivanka Trump për zhvillimin e një kompleksi luksoz në Zvërnec dhe në ishullin e Sazanit. Sipas Le Monde, investimi vlerësohet të ketë një vlerë ndërmjet 2 dhe 4 miliardë eurove, megjithëse shifra ndryshon sipas burimeve.

Sipas artikullit, protesta nisi në fund të muajit maj në Zvërnec, pasi banorët panë makineri ndërtimi në plazh dhe dolën për të kundërshtuar punimet. Demonstruesit pretendojnë se u përballën me ndërhyrje të ashpër nga roje private sigurie. Për shumë qytetarë, këto incidente u kthyen në simbol të pakënaqësisë ndaj mënyrës se si menaxhohen hapësirat publike dhe zonat natyrore në Shqipëri.

Le Monde shkruan se, përtej përfshirjes së familjes Trump, shumë protestues e shohin këtë rast si shembull të mënyrës se si prona publike dhe pasuritë natyrore kalojnë në duart e investitorëve të fuqishëm, të cilët, sipas tyre, gëzojnë mbështetjen e autoriteteve shtetërore.

Kryeministri Edi Rama ka mohuar që projekti të ketë hyrë në fazën e zbatimit. Ai ka deklaruar se nuk ekziston ende një projekt përfundimtar dhe se studimet e ndikimit në mjedis nuk janë realizuar. Megjithatë, aktivistët mjedisorë nuk e konsiderojnë bindës këtë argument, duke theksuar se Parlamenti ka miratuar tashmë ndryshime ligjore që lehtësojnë ndryshimin e statusit të zonave të mbrojtura ku parashikohen investimet.

Në deklaratat e dhëna për Le Monde, Rama shprehet se është i gatshëm të dëgjojë shqetësimet e qytetarëve, por njëkohësisht pretendon se protesta ka karakter politik dhe shoqërohet me fushata dezinformimi.

Që nga fundi i majit, Edi Rama ka alternuar deklarata pajtuese me tone kërcënuese. Në një intervistë për “Le Monde”, kryeministri, i cili kërkon të ruajë imazhin e një lideri pro-evropian, deklaroi se është “i gatshëm të dëgjojë shqetësimet e qytetarëve të tij”, por pretendoi se është viktimë e një “mobilizimi politik” dhe e “fushatave të dezinformimit”.

Pas përplasjeve të 2 korrikut, ai përdori sërish një ton të ashpër në rrjetet sociale, duke deklaruar se “dhuna fizike është tashmë e vetmja gjë për të cilën janë të aftë këta dështakë mendjengushtë, të manipuluar nga duar të huaja”, ndërsa akuzoi përsëri protestuesit, pa paraqitur prova, se po manipuloheshin nga Rusia ose Irani.

Artikulli sjell edhe qëndrimin e ish-ministrit të Jashtëm Besnik Mustafaj, i cili e konsideron sjelljen e kryeministrit shprehje të një prirjeje autoritare. Sipas tij, Rama e kontrollon plotësisht Partinë Socialiste dhe vazhdon të mbështetet nga shumica parlamentare.

Edi Rama jeton në një delir autokratik shumë shqetësues; ai mendon se është i pazëvendësueshëm”, deklaron ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj, bashkëthemelues i Partisë Demokratike të Shqipërisë, forca kryesore opozitare.

Megjithatë, kjo parti, e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, i marrë i pandehur për korrupsion që prej vitit 2023, shihet po aq e diskredituar sa edhe qeveria aktuale nga protestuesit, të cilët brohorasin në rrugë: “Rama në burg, Berisha në burg!”

Në një vend thellësisht të ndarë politikisht, shfaqja e një shoqërie civile që pretendon se përfaqëson vlera evropiane konsiderohet si arritja kryesore e kësaj lëvizjeje.

Analisti politik Agon Maliqi vlerëson se protesta ka krijuar një atmosferë të re në jetën publike shqiptare, duke nxjerrë në pah një pjesë të shoqërisë civile që identifikohet me vlera evropiane dhe që kërkon më shumë transparencë, llogaridhënie dhe mbrojtje të interesit publik.

Ndërsa mobilizimi duket se ka arritur kulmin, Edi Rama vazhdon të mbështetet në shumicën e tij dërrmuese parlamentare dhe në një Parti Socialiste që qëndron e bashkuar pas tij, me përjashtim të një deputeteje të vetme.

“Rama e kontrollon partinë e tij me dorë të hekurt”, kujton Besnik Mustafaj, duke nënvizuar gjithashtu “karakterin ndonjëherë anarkik dhe kaotik të kërkesave të lëvizjes së flamingove rozë, që përfshin që nga marksistët deri te nacionalistët”.

Megjithatë, sipas tij, mbetet ende e paqartë nëse kjo energji qytetare do të shndërrohet në një alternativë politike.

Aktivistët e konsiderojnë këtë shumëllojshmëri njëkohësisht forcë dhe dobësi, pasi i jep lëvizjes karakter qytetar, por e bën më të vështirë formulimin e një platforme të përbashkët politike.

“Lëvizja jonë është shumë heterogjene. Kjo është njëkohësisht forca jonë më e madhe dhe dobësia jonë më e madhe në një kontekst revolucionar”, shprehet Sidorela Vatnikaj, një prej aktivisteve. /Përshtati Pamfleti/

 

revolucioni edi rama doreheqje

2 Komente

  1. I
    Igli

    Bravo cuna dhe goca! Le te japi doreheqje per gjith pisllikun qe ka ber te hetohen mire e mire te qerojn hesapet me gjith drogmenat e mafiet e botes gjith kurvat politike europiane e pastaj po u pastruan nga gjith pasuria e pajustifikuar Veting sic bene gjoja me prokuror e gjyqtar qe nuk i donin ben ca kurban

    1. Ɓibi

      Ķa sindromën Dark Triad )makiavelizëm narcisizëm psikopati) Ps. Plus zioniizëm.

      Lini një Përgjigje