Anëtari i kryesisë së PD, Ilir Alimehmeti ka hedhur akuza të forta në lidhje me dorëheqjet e fundit të drejtuesve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), duke deklaruar se ato nuk kanë ardhur për arsye profesionale, por si pasojë e presioneve të ushtruara për shkak të një projekti të kontestuar që përfshin ndërtimin e një hoteli dhe një parkingu brenda territorit të QSUT-së.
“Sipas informacionit që kam ka lidhje me hotelin që duhet të bëhet brenda oborrit të QSUT-së. Një hotel dhe një parlink që duhet të ndërtohet brenda oborrit të QSUT-së. Është dhënë fondi limit, 17 milionë euro zyrtarisht nga shteti. Është hapur në tetor të 2024m, është mbrojtur dhe në një mbledhje të kryeministrit me mjekët.", tha ai gjatë një interviste në “MCN Live”.
Sipas tij, këto projekte nuk kanë lidhje me mjekësinë dhe për pasojë, nuk është kompetencë e mjekëve të firmosin për ndërtimin e hoteleve apo parkingjeve në një institucion shëndetësor.
“Çështja e hotelit dhe parkingut nuk janë çështje mjekësore. Dyshimi i arsyetueshëm është që mjekët nuk kanë lidhje me firmosje hotelesh dhe parkingjesh brenda territorit të QSUT-së. Kanë dhënë dorëheqjen për shkak të një presioni në këtë drejtim”, tha Alimehmeti.
Ai shtoi gjithashtu se në vend që të adresohen problemet e thella në sistemin shëndetësor, fokusi është zhvendosur drejt projekteve që nuk lidhen me përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
Lini një Përgjigje