Politike28 Shkurt 2023, 15:31

“E ardhmja e rajonit nuk është Ballkani i Hapur", Meta për takimin Kurti-Vuçiç: Një mundësi e mirë për njohjen reciproke 

Shkruar nga Pamfleti

“E ardhmja e rajonit nuk është Ballkani i Hapur", Meta

Kreu i PL-së, Ilir Meta ka reaguar pas takimit të djeshëm mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiçit në Bruksel, për të cilin tha se ishte një mundësi e mirë për të hedhur një hap të qëndrueshëm e pozitiv drejt njohjes së ndërsjellët, paqes dhe integrimit evropian të Kosovës dhe Serbisë.

Me anë të një postimi në rrjetin social facebook, Meta përgëzoi kryeministrin Kurtin për qëndrimin e tij gjatë takimit dhe shtoi se rruga e rajonit është drejtë Evropës dhe jo në “Ballkanin e Hapur”.

Mbrëmë në Bruksel ishte një mundësi e mirë për të hedhur një hap të qëndrueshëm e pozitiv drejt njohjes së ndërsjellët, paqes dhe integrimit evropian të Kosovës dhe Serbisë.

Teksti zyrtar i marrëveshjes pati elemente që meritojnë vlerësim pozitiv, përderisa palët zotohen që të udhëhiqen nga synimet e parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, sidomos ato për barazinë sovrane të Shteteve, respektimin e Pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, si dhe të Drejtën për Vetëvendosje. E përgëzoj kryeministrin e Kosovës, z. Kurti, që kishte shkuar i përgatitur dhe konstruktiv.

Shpresoj që edhe Presidenti i Serbisë ta gjejë guximin e të nënshkruajë sa më shpejt, sepse koha kurrë nuk mund të kthehet pas. E ardhmja e rajonit tonë nuk është te skemat dhe taktikat si puna e “Ballkanit të Hapur”, as te “tërheqjet e veshëve” por te marrëveshjet e drejta, transparente, që konkretizojnë integrimin evropian dhe i hapin rrugën fqinjësisë së mirë, ku asnjë fqinj nuk e dominon tjetrin”, tha Meta.

meta takimi kurti-vuçiç