Politike11 Prill 2024, 18:53

E paprecedentë/ Rama del mbi Kushtetuesen, Kuvendi refuzon t’i heqë mandatin Olta Xhaçkës!

Shkruar nga Pamfleti
E paprecedentë/ Rama del mbi Kushtetuesen, Kuvendi refuzon t’i
Xhaçka sot në Kuvend

PS shkelmon reformën në drejtësi dhe shkel hapur Kushtetutën, merr në mbrojtje Olta Xhaçkën...

Një akt i paprecedentë ka ndodhur sot në Kuvend. Mazhoranca ka refuzuar që të shkojë në Kushtetuese çështja e mandatit të Olta Xhaçkës. Për të parën herë në histori, pozita në pushtet i jep kompetenca vetes që të dalë mbi Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata, me një vendim të pak muajve më parë shprehej taksative se Kuvendi duhet ta dërgojë aty rastin dhe është ajo që vendos. Por socialistët duket se mbrojtën deri në fund Xhaçkën. Edhe pse sot u deklarua se PS do të votonte pro, gjatë votimit në Kuvend ndodhi e kundërta. Me 39 vota pro dhe 72 kundër, u rrëzua raporti i opozitës që ky rast të kalonte në Kushtetuese.

Kuvendi duhet të kishte pranuar mocionin e kërkuesit dhe të dërgonte çështjen për shqyrtim në këtë Gjykatë, në mënyrë që aspektet e pretenduara si papajtueshmëri të mandatit të deputetes Olta Xhaçka t’i nënshtroheshin vlerësimit kushtetues, pasi gjatë gjykimit kushtetues nuk u verifikua ndonjë pengesë juridiko-formale që mocioni të pengohej nga Kuvendi”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Ishte PD që bëri një kërkesë për t’i hequr mandatin deputetes, me pretendimin se ajo është në konflikt interesi. “Pamfleti” ka publikuar dhjetra herë fakte se si Artan Gaçi është favorizuar si investitor strategjik.

Artan Gaçi ka përfituar 8 mijë metër katror tokë në Himarë. Konkretisht, për 8000 m2 tokë e plazh, që kanë marrë për resortin “Dreamades Luxury Suites” Gjilekë-Himarë, Artan Gaçi e Olta Xhaçka, kanë paguar 70 mijë lekë tarifë për shërbimet administrative dhe 15 mijë lekë, tarifë për menaxhimin e procedurave të investimeve strategjike. Por për PS nuk kemi konflikt interesi duke shkelmuar Kushtetutën. Madje në raportin e PS i jepen kompeteca Kuvendit të interpretojë vendimet e Kushtetueses. 

Shumica vlerëson të nënvizojë se Kuvendi në ushtrim të kompetencave të tij kushtetuese dhe në cilësinë e organit që krijon norma kushtetuese, është interpretuesi i parë i Kushtetutës. Në këtë kuptim është marrë vendimi i Kuvendit vitit 2022 për miratimin e raportit të shumicës parlamentare për të mos e dërguar mocionin për papajtueshmërinë e mandatit në Gjykatën Kushtetuese. ⁠Gjykata Kushtetuese është interpretuesi fundor i Kushtetutës. Për rrjedhoje Kuvendi ka detyrim të zbatojë jo vetëm një vendim të saj, por gjithë vendimet e Gjykatës Kushtetuese në harmoni të plotë si interpretuesja fundore e Kushtetutës. Në këto kushte, Kuvendi ndodhet në një situatë pamundësie për të vepruar ndryshe, pasi i duhet të zgjedhë se cilin qëndrim të Gjykatës Kushtetuese të respektojë mes standarteve të ndryshme të vitit 2016 dhe 2023. Gjithashtu, nga ana tjetër, grupimit prej 1/5 të deputetëve, siç është sqaruar më sipër i është mohuar e drejta për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese parashikuar në Kushtetutë dhe ligjin organik të Gjykatës Kushtetuese, në dispozita që janë ende në fuqi”, thuhet në raportin e PS.

Shkelja e Kushtetutës

Ky akt i PS po shkel hapur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Janë 3 nene që po shkelen me të dyja këmbët. 

Kërkesa e demokratëve bazohet në nenin 70 të Kushtetutës i cili shprehet: “Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre. Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë”.

Ndërsa në nenin 119/1 të Rregullores së Kuvendit janë përcaktuar hapat që duhet të ndjekë Kuvendi pas dorëzimit të kërkesës. Sipas këtij neni, Kuvendi nuk vë në diskutim mocionin e paraqitur dhe nuk ia nënshtron atë debatit parlamentar, pasi nuk i hyn themelit të çështjes për të vlerësuar nëse veprimet konkrete të pretenduara të kryera nga deputeti janë të papajtueshme me mandatin e tij.

Për çdo shkelje të kufizimeve të këtij neni, çështja dërgohet pa vonesë në Gjykatën Kushtetuese. Kuvendi, nëpërmjet Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, verifikon nëse mocioni i paraqitur plotëson kërkesat juridiko-formale, siç janë numri i anëtarëve nënshkrues, ekzistenca e dokumentacionit dhe provave që mbështesin mocionin e paraqitur, verifikon momentin e marrjes së mandatit nga deputeti, verifikon nëse mocioni plotëson kriteret kushtetuese të parashikuara në pikën 3 të nenit 70 të Kushtetutës për vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese, si dhe kujdeset për respektimin e procedurës parlamentare për votimin e mocionit në seancë plenare, në përputhje me parashikimet e Rregullores së tij”, thuhet në nen. Sipas tij, vlerësimi nëse kemi apo jo konflikt interesi është një çështje që i përket ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese.

Rasti më skandaloz është se PS i jep kompetenca vetes të dalë mbi Gjykatën Kushtetuese. “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim”, thuhet në Nenin 132 i Kushtetutës. Pra pas 3 vitesh në qeverisje, socialistët na janë kthyer në Maliqa që kanë dalë mbi ligjin. /Pamfleti

rama kushtetuese mandat olta xhacka