Politike15 Maj 2023, 12:27

Edi Rama fiton mandat të ri në mes të mandatit

Shkruar nga Frrok Çupi
Edi Rama fiton mandat të ri në mes të mandatit
Fitorja e Shkodrës

Zgjimi i intuitës së guximshme u ndodh njerëzve kur ndodhen përballë ndonjë rreziku; kësaj here u ndodhën përballë rrezikut anti- perëndimor që mbartte mbi vete koalicioni Berisha- Meta...

Kjo ndodhi, realisht, në krye të kurorës së zgjedhjeve që sapo lamë pas është kjo: Edi Rama u miratua edhe për një mandat të ri në mes të mandatit të tij qeverisës.

Gjithë Shqipëria e votoi në datë 14 maj; shumë më fuqishëm se në vitin 2021 kur mori mandatin 4 vjeçar për të qeverisur vendin. Përmes një ‘intuite’ ndërkontinentale, votuesit shqiptarë iu afruan ligjit unik të Shteteve të Bashkuara ku Etërit e Kombit kishin përcaktuar që ‘të martën pas së hënës së parë të nëntorit, të mbahen zgjedhjet në mes të mandatit’.  Intuita pro- amerikane u zgjua kësaj here, jo vetëm për ‘midterm’, por në gjithë orientimin perëndimor të votuesve. Zgjimi i intuitës së guximshme u ndodh njerëzve kur ndodhen përballë ndonjë rreziku; kësaj here u ndodhën përballë rrezikut anti- perëndimor që mbartte mbi vete koalicioni Berisha- Meta. Në mbarë vendin u ngulit përfundimisht aspirata pro- perëndimore ‘Përpara, jo mbrapa, vetëm përpara!’.

Bota jonë shqiptare u nda përfundimisht nga ‘ekipi i së keqes’ që bënë rrënim 3 dekada.

Pro- perëndimizmi  është kolona e parë ku u mbështet besimi ndaj Edi Ramës për një mandat tjetër duke nisur që nga 14 maji. Shqipëria nuk pranon të ndahet me mure nga orientimi drejt Perëndimit, kjo duhej provuar edhe kësaj here. Vota për Edi Ramën e rrënoi përfundimisht ‘murin’ fatzi për kombin.

Votuesit e vendit dhanë besim dhe morën besim nga Edi Rama. Qytetaria shqiptare manifestoi dashuri dhe kujdes për vete, për jetën , për fëmijën dhe familjen. Pala tjetër paraqiti portretin ‘ufo’ të njeriut; të një njeriu që nuk ka jetë, nuk ka familje, nuk ka ekonomi as shije, nuk ka punë tjetër veç ‘Partisë’. Parulla për të ndjekur ‘Ufon’, jo jetën e gjallë, fshihte politikën tinzare për të mbledhur ‘njerëz të sakrificës’ që të mbrojnë korrupsionin e Berishës e Metës- dy ish presidentë që i shkaktuan dëme jetës së njeriut.

Shqipëria qëndroi me garancinë se votoi për një model të luftës kundër korrupsionit dhe mashtrimit.

Në 14 maj gjithë Shqipëria votoi për veprën e qeverisë Rama. Shqipëria ‘është bërë’- siç mund të shkruanin Rilindësit e Kombit. Është nga më të bukurat mes shoqeve të kontinentit, është më mrekullisht e jetueshme, është më e ëmbla ‘baltë’ se sa mjalta. Shikoni çfarë ndodhi: Populli shqiptar nuk i dëgjoi e nuk i përfilli tribunat dhe ekranet që ‘vajtojnë’ për të keqen e Shqipërisë dhe për ‘shqiptarët, këta njerëz budallenj që nuk bëhen’. Kështu thërrasin apologjetët e së shkuarës.

Shqipëria renditet mes të barabartëve diplomatikisht dhe politikisht, që nga superfuqitë deri te fqinjët.

Këtu nuk ka më luftë, as frikë, as dhunë, as harresë për të dobëtin, as frëngji për të vrarë fqinjin dhe kundërshtarin. Këtu nuk ka më tribu politikë. Këtu kryeministri është hamalli më i madh i punëve, pastaj vijnë të tjerë.

Në 14 Maj rinisi një mandat i ri për Edi Ramën në krye të qeverisjes së vendit. Në mënyrë alegorike, sikur të flasim, zgjedhjet e tjera parlamentare duhet të mbahen jo në vitin 2025, por katër vjet pas 14 majit 2023.

Është mirë kur njerëzit ndihen mirë e të mbushur në zemër dhe votojnë për të mirën e vet. Është mirë edhe kur pranojmë të vërtetën: Se Edi Rama fitoi për të mirën e vendit./Pamfleti

frrok Çupi mandat i ri në mes të mandatit edi rama