
Pasi i zgjidhi hallet në vend, Rama vesh Zhegrovën me fanellën e Juventusit
Edi Rama i ka duart kudo. Pas tenderëve, koncesioneve dhe emërimeve politike, sot e gjejmë edhe te merkatoja e Juventusit. Dhe jo, nuk është shaka.
Pak ditë më parë, Edon Zhegrova, kosovari që luante për Lille, mori pasaportën shqiptare. Një detaj teknik që i duhej për të kaluar pengesën e famshme të “lojtarëve ekstra-komunitarë” në Serie A. Por në vend që kjo të kalonte përmes institucioneve normale, përfundoi në duart e kryeministrit, që si gjithmonë e trajton shtetin si pronë personale.
Por pavarësisht planeve, në lojë hyri Marseja, e cila ishte gati ta transferonte lojtarin. Dje ishte thuajse e sigurt që do qëndronte në Francë.
Mirëpo befas loja ndryshoi. Juve doli sërish në skenë dhe u mbyll dhe pjesa tjetër e skenarit "Rama": Zhegrova u konfirmua si lojtari më i ri i Juventusit. Dhe menjëherë erdhi reagimi i Ramës, që nuk humbi rastin të shfaqej si njeriu që kishte bërë të mundur transferimin. “Ec aty shqipe! L’aquila feroce per la storia bianconera”, shkroi ai, si një tifoz i dehur që sheh ëndrrën e tij të bëhet realitet.
Në një vend normal, kjo do të ishte thjesht një histori futbolli. Në Shqipëri, është histori politike. Sepse këtu shtetësia nuk është procedurë ligjore, por qokë.
Shumë mirë që Zhegrova u bë zyrtarisht shqiptar dhe jemi krenarë që do luajë me Juven. Por duket se bie erë gjithë procesi. Kjo pasi nuk i takon kryeminsitrit të merret me pasaportat dhe merkato futbolli.
Dhe kështu, Rama e shton edhe një titull tjetër në CV: “drejtor sportiv i Juventusit”. Mes qindra halleve që ka vendi, ai e sheh më me leverdi të merret me fanellat bardhezi. Sepse tifozllëku duket më i rëndësishëm se populli.
Në fund të ditës, Zhegrova fitoi Juventusin, Juventusi fitoi një lojtar, ndërsa shqiptarët fituan një kryeministër që tallet nga mëngjesi në darkë me ta. /Pamfleti
Lini një Përgjigje