Kryetari i “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori ka folur për Endri Shabanin dhe zgjedhjen e tij si Avokat i Popullit.
I ftuar në studion e “Terminal”, Qori deklaroi se Shabani u bë Avokat i Popullit pas një marrëveshje mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD, Sali Berisha.
Më tej, kreu i “Lëvizja Bashkë”, tha se zgjedhja e Shabanit si Avokat i Popullit do të ndikojë tek SPAK-u dhe do të prekë Reformën në Drejtësi.
“Endri Shabanin nuk e ka bërë Avokat Populli vetëm Edi Rama. E ka bërë Edi Rama me Sali Berishën dhe kjo është pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë Rama-Berisha, që do prekë, kam frikë unë, Reformën në Drejtësi, për t’i pamundësuar SPAK-ut që të pezullojë nga detyra dhe të marrë masa paraburgimi për politikanët e korruptuar”, tha Qori.
Qori shtoi gjithashtu se Shabani është anëtar i një kualicioni ku bën pjesë Berisha së bashku me partëtitë e tjera opozitare përveç, “Lëvizjes Bashkë”.
“Endri Shabani, sot që flasim, është anëtar i një koalicioni ku bën pjesë edhe zoti Berisha e të gjitha partitë e tjera opozitare, përveç “Lëvizjes Bashkë”. Kur kandidoi zoti Binaj, Shabani, Lapaj dhe Berisha ishin pjesë e një koalicioni. “De facto” e kanë në koalicion të gjithë, mund ta shajnë sa të duan, por e kanë në koalicion. Aleanca është faktike dhe nuk e kuptoj këtë hipokrizinë e gjithanshme për të thënë që nuk kemi të bëjmë me këtë person. Shabani u zgjodh me votat e dyshes Rama-Berisha”, theksoi Qori.
Lini një Përgjigje