Politike12 Shkurt 2024, 12:40

Era luftë?! Qeveria po ble pa zhurmë artileri të rëndë në Britaninë e Madhe

Shkruar nga Pamfleti
Era luftë?! Qeveria po ble pa zhurmë artileri të rëndë
Artileri e rëndë britanike /

Siç mësohet, nga burime diplomatike, Shqipëria ka porositur një parti të madhe baterish të artilerisë së rëndë nga Britania e madhe...

Në mesin e një stine hetimesh për “peshqit e mëdhenj” të korrupsionit nga SPAK, ka ardhur një lajm i rëndësishëm që krijon shqetësim real.

Mes një garë të ethshme armatimi në Ballkan, nga vendet e ish-Jugosllavisë së Titos; Shqipëria, deri tani, ishte një nga vendet që nuk e kishte ‘vënë ujin në zjarr’.

Loja mes Serbisë dhe Kroacisë, që po armatosen deri më dhëmbë, duket se nuk kishte shkaktuar ndonjë problem në ushtrinë shqiptare, e cila prej vitesh është nën patronazhin, thuajse direkt, të Pentagonit.

Përveç disa dronëve bajraktar dhe raketat e famshme Himars, nuk pati zëra se Shqipëria do të rrisë kapacitetin e saj stategjik të armatimit.

Vendi ynë, pas shkatërrimit(1997), të një depoje masive armësh dhe municionesh ruse e kineze të çdo niveli, u çarmatos me shpejtësi, aq sa sot Shqipëria nuk ka më as një efektiv strategjik ushtarak.

Por, kohët e fundit, siç mësohet nga burime diplomatike, Shqipëria ka porositur një parti të madhe baterish të artilerisë së rëndë nga Britania e madhe, që kushtojnë 150 mijë euro për njësi, pa përmendur municionin dhe mirëmbajtjen. Një fakt që nuk është vetëm ushtarak në kuptimin e ngushtë të nevojave militare, por që ka brenda edhe aspektin strategjik e politik.

Përse i duhen Shqipërisë bateri të artilerisë së rëndë, kur, ushtria shqiptare i hoqi të gjitha instalimet e vjetra të artilerisë me rreze të mesme dhe të gjatë, me topa obuzë që ishin vendosur drejt Greqisë dhe Jugosllavisë nga regjimi i Enver Hoxhës?

A i kërkoi realisht Shqipërisë, NATO heqjen e instalimeve artilerike, tokësore e detare?!

Sipas të dhënave dokumentare nuk ka asnjë kërkesë, që Shqipëria të tërhiqet nga aftësia e saj mbrojtëse. Edhe vende të tjera të Lindjes komuniste; si Bullgaria, Rumania, Polonia etj, nuk hoqën dorë, por modernizuan arsenalin e tyre ushtarak.

Ndërkaq, nuk duket se kemi të bëjmë me një logjikë klienteliste për të ndihmuar industrinë britanike të luftës, pasi kjo ndodh me mjete të shtrenjta të aviacionit si aeroplanë bombardues apo helikopterë, por jo me artileri, që sipas gjasave, ushtria britanike, po i zëvëndëson dhe i shet nën çmimin e tyre fillestar.

Duket se kemi të bëjmë me një ndryshim të rëndësishëm të strategjisë, kur praktikisht Shqipëria është një vend i NATO-s, dhe i rrethuar totalisht prej aleatëve të saj.

Po pse atëherë po armatoset?

Deklaratat e krerëve të BE-së, që janë frikësuar nga një rikthim i Donald Trump, që mund të ndryshojë strategjinë e NATO-s, kanë bërë që të gjitha vendet europiane po armatosen e po bëhen gati për luftë.

Por me kë mund ta ketë Shqipëria një konflikt të mundshëm ?

Ne jemi të rrethuar nga territore shqiptare; në Kosovë, Mal të Zi e Maqedoninë e Veriut, ku sipas të gjitha gjasave ai territor është një zonë kushinetë që në rast konflikti është mbrojtja më e mirë.

I vetmi territor i rrezikuar mbetet kufiri tokësor me Greqinë, apo edhe pjesa e detit që na përball me një aleat strategjik, që të dy, anëtarë të NATO-s. Greqia, në kufi me Shqipërinë, kanë një arsenal të madh forcash që nuk i ka zvogëluar asnjëherë.

Siç mësohet, nga burime ushtarake, artileria britanike, do të vendoset në instalimet malore të labërisë që kanë në shënjestër pikërisht veriun e Greqisë dhe kufirin bregdetar me fqinjin jugor.

Çfarë po ndodh realisht?

Edhe armatosja e pa fre e Greqisë nuk është shenjë, pasi e gjitha bëhet për ekulilibër forcash…/Pamfleti                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                        

luftë qeveria artileri e rëndë britania e madhe