Kreu i PD komenton lëvizjen e Braçes dhe paralajmëron garë për bashkinë e kryeqytetit.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ndaj vetëofrimit të Erion Braçes si kandidat i Partisë Socialiste për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Në një bashkëbisedim me ndjekësit në rrjete sociale, ai e cilësoi Braçen si përfaqësues të një partie që, sipas tij, lidhet me krimin, ndërsa u ndal edhe te strategjia e opozitës për garën në kryeqytet.
Ai theksoi se Partia Demokratike synon të dalë me një kandidat të fortë dhe të ndërtojë një bashkëpunim më të gjerë opozitar për zgjedhjet në Tiranë.
“Lidhur me deklaratën e Braçes, Braçe është përfaqësues i një partie që është zhdukur pa nam e nishan. Në fakt nuk është zhdukur, por ka marrë trajtën e saj të re, se kjo parti është themeluar në krim dhe se kaloi në pluralizëm në krim. Në duart e Ramës, është parti e mirëfilltë krimi. Ndaj edhe më mirë të mos komentoj për problemet e tyre.
PD padiskutim që do t’u ofrojë qytetarëve të Tiranës dhe kur të hapë diskutimet në mënyrë transparente kandidaturën më të shkëlqyer, do të bëjë gjithçka për një front më të gjerë me opozitën dhe t’i rikthejë kryeqytetin qytetarëve”, u shpreh Berisha.
Deklaratat vijnë në një kohë kur ende nuk ka një listë zyrtare kandidatësh për kryeqytetin, por sinjalet për garën kanë nisur të bëhen publike.
Lini një Përgjigje