Në emër të “stabilitetit tregtar”, Ursula von der Leyen i dorëzon Trump-it një fitore gjeopolitike që mund të rrëzojë projektin evropian...
Në pamje të parë, marrëveshja tregtare mes Bashkimit Evropian dhe administratës Trump 2.0 shmang një luftë tarifash që mund të kishte shkatërruar zinxhirët globalë të furnizimit. Por në thelb, ajo përfaqëson një kthesë të rrezikshme për BE-në: një përkulje strategjike përballë presionit unilateral amerikan, një dëshmi se kontinenti i vjetër po e humbet aftësinë për të vepruar si bllok i barabartë në arenën ndërkombëtare.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nënshkroi një marrëveshje që, sipas përmbajtjes së zbardhur, ul përkohësisht tarifat për automjetet evropiane, por i garanton SHBA-së një paketë të stërmadhe përfitimesh: qasje pa pengesa për produktet farmaceutike, teknologjike dhe energjetike; blerje të detyrueshme të gazit amerikan në vlerë prej 750 miliardë dollarësh; dhe një premtim për investime evropiane në SHBA prej mbi 600 miliardë.
Evropa, me një fjalë, po paguan për të mos u dënuar.
Trump, që në mandatin e tij të parë e kishte kërcënuar BE-në me tarifim 25% për çdo makinë të eksportuar, këtë herë nuk u kthye me thikën, por me çekun për ta firmosur vetë Europa. Retorika e tij e mbushur me “America First” ka rezultuar efektive: kompanitë amerikane fitojnë, investitorët amerikanë fitojnë, ndërsa konsumatori dhe punëtori evropian... paguan.
Në Bruksel, marrëveshja u shit si “sukses diplomatik”. Në të vërtetë, është një koncesion dramatik. Gjermania dhe Italia, dy nga eksportuesit më të mëdhenj të automjeteve, kanë heshtur për të mos tronditur më shumë tregjet financiare. Por në Paris dhe Madrid, fjala “turp” është bërë lajtmotivi i analistëve të majtë dhe të djathtë.
Sepse nuk është vetëm çështje ekonomike. Është çështje dinjiteti politik. Në vend që të kërkojë reciprocitet dhe mbrojtje për prodhimin evropian, Komisioni Evropian e ka kthyer veten në një “agjenci zbutjeje” për agresivitetin tarifor të SHBA-së. Kjo e rrënon besimin që vende të tilla si Franca, Hungaria apo edhe Irlanda kanë ndaj projektit evropian si garantues i interesit kombëtar.
Dhe për ironi, marrëveshja vjen në prag të përfundimit të mandatit të von der Leyen, e cila po kërkon rizgjedhjen si Presidente e Komisionit me votat e të djathtës radikale dhe Macronit, duke e pozicionuar veten si “kompromisi i stabilitetit”. Por ky stabilitet ka një kosto: varësia strukturore nga tregu amerikan, në një kohë kur vetë SHBA është më proteksioniste dhe më agresive se kurrë.
Shikoni më larg: marrëveshja nuk garanton mbrojtje për sektorët strategjikë të Evropës, përkundrazi, i vë ata në pozita defensive. Gjysmëpërçuesit evropianë? Të detyruar të konkurrojnë me subvencionet e mëdha të SHBA-së. Prodhuesit e automjeteve? Me tarifa që “mund të kthehen në çdo kohë”. Dhe më e rënda, mesazhi që u jepet shteteve të tjera: “Evropa është e dobët, Evropës i imponohet”.
E gjitha kjo nuk është veçse një simptomë e përkeqësimit më të thellë: projekti evropian është pa busull strategjike. Me liderë të varur nga ciklet elektorale, të fragmentuar mes njëri-tjetrit dhe të paaftë për të ngritur një linjë të përbashkët përballë sfidave globale; si Trump, Kina, Rusia apo edhe Lindja e Mesme, BE po rrëshqet në rolin e konsumatorit global, jo të aktorit politik.
Marrëveshja me Trump-in mund të jetë cilësuar si “zgjidhje e mençur” për të shmangur një përplasje afatshkurtër. Por është pikërisht ajo që u kërkon autokratëve: heshtje në këmbim të qetësisë. Dhe është pikërisht ajo që BE nuk mund ta përballojë në këtë moment historik./Pamfleti
Lini një Përgjigje