Politike25 Qershor 2024, 18:22

Çfarë do të ndodhë tani me Himarën? Athina pranon dënimin e Belerit, kërkon të lejohet të betohet si eurodeputet

Shkruar nga Pamfleti
Çfarë do të ndodhë tani me Himarën? Athina pranon
Beleri në gjykatë

Duket se me këtë zhvillim është pajtuar dhe qeveria greke, e cila tani e sheh Fredi Belerin si eurodeputet dhe jo kryetar bashkie...

Gjykata e Apelit ka marrë sot vendimin e formës së prerë për Fredi Belerin, duke e dënuar përfundimisht me 2 vite burg. Dënim ky që nuk është se rëndon shumë pozitat e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, pasi duke qenë se ndodhet prej një viti në paraburgim, nuk i kanë mbetur dhe shumë ditë për të vuajtur dënimin.

Megjithatë ky dënim i tij, i heq të drejtën të jetë kryetar bashkie. Sipas ligjit, tani qeveria ka të drejtë të bëjë shkarkimin e tij dhe t’i kërkojë presidentit zgjedhje të reja në Himarë. Sipas Kushtetutës, presidenti shpall brenda 2 ditësh zgjedhjet e reja.

Presidenti i Republikës dekreton datën e re të zgjedhjeve brenda 48 orësh nga marrja e njoftimi. Zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit”, thekson ligji.

Ndërkohë duket se me këtë zhvillim është pajtuar dhe qeveria greke, e cila tani e sheh Fredi Belerin si eurodeputet dhe jo kryetar bashkie. Në një reagim publik, Ministria e Jashtme greke pranon vendimin dhe kërkon nga autoritet shqiptare që të mos pengojnë betimin e tij si eurodeputet.

Greqia që në fillim kishte shprehur shqetësimin dhe reflektimin e saj për shumë aspekte të çështjes lidhur me ndjekjen penale të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleris.

Në veçanti, rezervat lidhur me cënimin e prezumimit të pafajësisë, natyrën e provave të paraqitura, zbritjen e dënimit të tij, shqiptimin e një dënimi joproporcional dhe heqjen e së drejtës së tij për të bërë betim, me rezultat që Bashkia e Himarës administrohet prej një viti nga persona që nuk kanë legjitimitet demokratik.

Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit Tiranë vjen në mbështetje të këtyre shqetësimeve për nivelin e shtetit ligjor dhe mbrojtjen e minoriteteve në Shqipëri.

Beleri sot nuk është vetëm kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Himarës. Ai është gjithashtu anëtar i zgjedhur i Parlamentit Evropian. Është, pra, një detyrim i autoriteteve shqiptare që të marrin të gjitha masat e nevojshme për t’i dhënë atij mundësinë për të marrë pjesë në punimet e Parlamentit Evropian, duke filluar nga Plenari i tij, korrikun e ardhshëm”, tha Ministria e Jashtme Greke.

Beleri u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Vlorës në orët e para të mëngjesit të 12 majit 2023, vetëm dy ditë përpara datës kur do të votohej për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive. Sipas organit të akuzës, rezultonte se i pandehuri Beleri ka ofruar nga 50 euro për tetë vota. Po ashtu, Beleri u akuzua se i kishte dhënë paratë nëpërmjet të pandehurit tjetër, Pandeli Kokaveshi.