
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, ka folur pas seancës së zhvilluar për mandatin e Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese.
I pranishëm në seancës në emër të PD e cila ridepozitoi padinë në GJK, Gazmend Bardhi i kërkoi trupës gjykuese të ngrihet në lartësinë e detyrës.
Ai akuzoi kryeministrin Rama se po tenton ta kthejë Kushtetuesen në aneks të qeverisë, ndërsa deklaroi se Xhaçka ka përfituar 10 mijë e 500 metra tokë në bregdet me firmë të Edi Ramës.
“Secili prej nesh mund të ketë komente, por nuk mund të vejë në pikëpyetje për të zbatuar vendimin e Kushtetueses. Në këtë rast është lënë pa zbatim një vendim i GJK, por me qëndrimin që ka mbajtur mazhoranca i ka dhënë të drejtën vetes të komentojë dhe ka injoruar vendimin e Kushtetueses”, tha Bardhi.
Gjykata Kushtetuese zhvilloi sot seancën për mandatin e deputetes së Partisë Socialiste, pasi Kuvendi injoroi kërkesën e kësaj gjykate për ta dërguar çështjen për shqyrtim në Kushtetuese.
Padia për Xhaçkën u bë nga PD, ndërsa kreu i grupit parlamentar demokrat Gazmend Bardhi, i pranishëm në seancë, deklaroi se mazhoranca nuk ju bind vendimit të GJK, duke shkelur çdo parim të shtetit të së drejtës. Pas dëgjimit të palëve, trupa gjykuese u tërhoq për vendim.
Në seancën e Kuvendit të 11 prillit, mazhoranca votoi kundër dërgimit të mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese, siç kjo e fundit ka urdhëruar në vendimin e janarit 2023.
Pas këtij vendimi, PD ridepozitoi në Kushtetuese kërkesën për mandatin e Xhaçkës, teksa pritet që kjo e fundit të dalë në një vendimmarrje.
Lini një Përgjigje