TAGS-AT E JAVËS

Politike17 Prill 2026, 16:45

Çfarë fshihet pas takimit të Ramës me Giorgia Melonin?

Shkruar nga Pamfleti
Çfarë fshihet pas takimit të Ramës me Giorgia Melonin?
Rama-Meloni dje

Rama rikthehet në ndihmë të Melonit? Mediat italiane zbardhin prapaskenat e takimit

Takimi i zhvilluar dje në Palazzo Chigi mes kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama shihet nga mediat italiane si një përpjekje për të rishikuar dhe riaktivizuar marrëveshjen për emigrantët mes dy vendeve.

Sipas “Il Giornale”, dy liderët zhvilluan një takim që shërbeu si një “tagliando” për protokollin Itali–Shqipëri, çka tregon nevojën për të bërë një vlerësim dhe përmirësim të zbatimit të tij. Vetë fakti i këtij rishikimi, sipas interpretimit të medias, lidhet me sfidat që vijojnë në menaxhimin e flukseve migratore.

Artikulli thekson se qendrat në Gjadër dhe Shëngjin vijojnë të përdoren si struktura për riatdhesim, por diskutimet në nivel qeveritar sugjerojnë se funksionimi i tyre mbetet pjesë e një procesi që kërkon rregullime të mëtejshme dhe përshtatje me situatën në terren.

“Il Giornale” vë në dukje se qeveria italiane po përgatitet për një rritje të presionit migrator në muajt e ardhshëm, për shkak të përkeqësimit të krizës në Lindjen e Mesme dhe afrimit të sezonit veror, faktorë që tradicionalisht shtojnë nisjet drejt Europës.

Në këtë kontekst, dosja e emigracionit mbetet një prioritet kyç për qeverinë Meloni në vitin e fundit të legjislaturës. Dy javë më parë, në Palazzo Chigi u mblodh një task-forcë me ministra dhe zyrtarë përgjegjës, ndërsa po shqyrtohen masa të reja për menaxhimin e situatës.

Gjatë një deklarate në Parlament, Meloni ka theksuar drejtimin e ndjekur nga qeveria e saj: "Ne kemi nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare që nuk ekzistonin më parë, kemi ulur zbarkimet, kemi rritur ndjeshëm riatdhesimet, kemi forcuar kontrollet kufitare, kemi luftuar trafikantët e qenieve njerëzore dhe, mbi të gjitha, kemi ulur vdekjet në Mesdhe. Tani duhet ta konsolidojmë këtë qasje dhe ta bëjmë atë të qëndrueshme dhe strukturore. Kjo është edhe arsyeja pse, në projektligjin e fundit të sigurisë, kemi parashikuar mundësinë e aktivizimit, në raste të nevojës së provuar, të një bllokade të përkohshme detare në brigjet tona".

Mes masave që po diskutohen janë edhe forcimi i dëbimeve, rritja e kontrolleve kufitare dhe vëmendja ndaj rrugës ballkanike, ndërsa objektivi mbetet paraqitja me rezultate konkrete në zgjedhjet e vitit 2027.

Pra me pak fjalë, duket se do të riaktivizohen qendrat e Gjadrit dhe Rama po i vjen në ndihmë Melonit për zgjedhjet e vitit që vijnë. Marrëveshja u firmos pikërisht për ta ndihmuara para zgjedhjeve dhe duket se tani do të ndodhë e njëjta gjë. Kryeministri shqiptar duket se është një gomë rezervë, sa herë që Meloni ka nevojë e përdor. /Pamfleti

 

meloni rama gjadri

1 Komente

  1. A
    A. B.

    KM doʻ të thotë Kosh plehrash Me vullnet

    Lini një Përgjigje