Rënia e Viktor Orbanit nuk sinjalizon fundin e epokës së liderëve autoritarë. Sipas analizës, modelet e qeverisjes joliberale po përshtaten dhe po kërkojnë mënyra të reja për të ruajtur pushtetin…
Humbja e Viktor Orbanit ka shkaktuar një frymëmarrje lehtësimi në mbarë Evropën dhe më gjerë. Menjëherë pas largimit nga pushteti të ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro, rënia e liderit të fortë hungarez duket se sinjalizon fillimin e fundit të epokës së fundit të sundimtarëve autoritarë.
Megjithatë, ky do të ishte një interpretim i rrezikshëm i prirjes globale.
Vetë rrethanat hungareze duhet të na paralajmërojnë kundër një leximi tepër optimist. Peter Magyar ishte pjesë e sistemit dhe zhvilloi një fushatë me një mesazh relativisht të kufizuar, ende ka shumë gjëra, madje sipas disa vëzhguesve një sasi tronditëse çështjesh, që nuk i dimë për bindjet e tij politike. Në fund, duket se çështjet e kostos së jetesës luajtën rol vendimtar dhe bindën votuesit të mbështesnin ndryshimin. Mbetet e diskutueshme se deri në çfarë mase modeli hungarez i tranzicionit mund të përsëritet në vende të tjera. A do të mblidheshin, për shembull, votuesit turq rreth një platforme kaq të ngushtë?
Përveç kësaj, fakti që Magyar gëzon një super-shumicë parlamentare dhe tani mund të çmontojë sistemin e ngritur nga Orban nuk duhet të na bëjë të përqendrohemi vetëm te mekanizmat hungarezë. Një vështrim i tillë mund të krijojë një ndjenjë të rreme sigurie. Para së gjithash, ende ekzistojnë shumë vende ku figura me prirje autoritare po testojnë mësimet e këtij modeli. Serbia, Sllovenia, Sllovakia dhe Gjeorgjia përmenden shpesh në këtë kontekst.
Po ashtu, ka ende shumë liderë të tillë tashmë të konsoliduar në pushtet. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ndodhet diku në mes të këtyre kategorive. Mbi të gjitha, “manuali joliberal” nuk po vdes; ai po përshtatet dhe po përditësohet.
Ata liderë autoritarë që janë thellësisht të rrënjosur në pushtet po mendojnë me siguri shumë për Orbanin gjatë këtyre javëve. Në vend që t’i shtyjnë drejt moderimit, humbjet e Orbanit dhe Bolsonaros ka të ngjarë t’i shtyjnë drejt konsolidimit edhe më të madh të pushtetit dhe drejt masave më ekstreme. Madje mund të ketë edhe një ndjenjë paniku.
Në themel të këtij paniku qëndron ajo që unë e quaj “dilema e largimit nga pushteti”.
Shumë kapituj dhe mësime janë shkruar e përditësuar vazhdimisht në manualin e sundimtarëve autoritarë. Ajo që mungon ende është kapitulli për largimin nga pushteti. Dilema është reale: pasi ke çmontuar institucionet, ke pasuruar veten dhe rrethin tënd dhe ke përkulur ligjin sipas vullnetit tënd, nuk mund të humbasësh thjesht një palë zgjedhje dhe të tërhiqesh për të shkruar kujtimet. Nëse ka një përjashtim, Orbani vetëm sa e vërteton rregullin. Për një lider të tillë, rreziku i ndjekjes penale është ekzistencial.
Deri tani, presidenti rus Vladimir Putin është figura më e njohur që ka tentuar një dalje të butë nga pushteti, duke i siguruar vetes një vend të përjetshëm në dhomën e lartë të parlamentit rus me imunitet ligjor. Kjo tingëllon si një zgjidhje gjeniale, por siç zbuloi së fundmi ish-presidenti i Kazakistanit, Nursultan Nazarbayev, i cili kishte kopjuar të njëjtën strategji, ajo ka një mangësi themelore: çfarë ndodh nëse pasardhësi në pushtet e shfuqizon këtë imunitet? Pikërisht kjo ndodhi në vitin 2023, kur familja e Nazarbayevit humbi mbrojtjen ligjore dhe kompetencat e tij u kufizuan.
Në fund, mburojat juridike në letër nuk e zgjidhin dilemën e largimit nga pushteti. Për të kuptuar se si po zhvillohet kjo situatë në kohë reale, duhet të shohim një rast që po ndodh para syve tanë.
Më shumë se Putini, Narendra Modi, Orbani apo Bolsonaro, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan mishëron të gjithë harkun e transformimit nga reformator liberal në nacionalist të ashpër dhe autokrat. Në pushtet prej 23 vitesh, ai është një nga pionierët e valës së liderëve autoritarë të shekullit XXI. Ai ka treguar aftësi të mëdha përshtatjeje, duke shfrytëzuar pothuajse çdo krizë dhe duke rikonfiguruar vazhdimisht bazën e tij elektorale, si dhe Kushtetutën turke.
Që në fillim, Erdogan u shkëput nga mbështetësit e tij liberalë dhe reformatorë. Më vonë ai humbi mbështetjen e shumë votuesve kurdë, pasi hoqi dorë me vetëdije nga një zgjidhje historike e konfliktit kurd për t’u aleuar me nacionalistët ultraradikalë, me qëllim sigurimin e shumicës së nevojshme për të instaluar sistemin presidencial që i dha kompetenca pothuajse të pakufizuara.
Erdogan e shfrytëzoi maksimalisht grushtin e dështuar të shtetit të vitit 2016 për të spastruar kundërshtarët realë dhe të perceptuar. Mbi 100 mijë persona humbën vendet e punës dhe dhjetëra mijëra të tjerë përfunduan në burg. Figura të njohura të opozitës dhe shoqërisë civile, si Ekrem Imamoglu dhe Osman Kavala, u neutralizuan përmes sistemit gjyqësor.
Ai gjithashtu ushtron presion të vazhdueshëm ndaj kritikëve, nga gazetarët e njohur deri te të rinjtë në rrjetet sociale, përmes mijëra proceseve civile për shpifje. Institucionet shtetërore, nga gjykatat dhe administrata publike deri te ushtria dhe policia, janë mbushur sistematikisht me besnikë të tij. Ndërkohë, peizazhi mediatik dominohet pothuajse tërësisht nga media pranë qeverisë.
Megjithatë, pavarësisht këtij kontrolli të gjerë institucional, Erdogan nuk arrin kurrë plotësisht atë që dëshiron në zgjedhjet kombëtare. Ai nuk ka mundur të kalojë një prag të padukshëm që qëndron pak mbi 50 për qind të mbështetjes elektorale. Përkundrazi, pesha elektorale e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim ka ardhur duke u tkurrur. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2023, partia e tij mori vetëm 35.6 për qind të votave. Kjo përbën një dëshmi të fortë të qëndrueshmërisë demokratike të shoqërisë turke.
Kjo qëndrueshmëri po bëhet një problem gjithnjë e më urgjent për Erdoganin. Mandati i tij presidencial përfundon në maj të vitit 2028. Sipas Kushtetutës që ai vetë ka ndihmuar të ndërtohet, një person mund të shërbejë vetëm dy mandate si president.
Ekziston një rrugëdalje: shpërndarja e parlamentit para përfundimit të mandatit aktual dhe organizimi i zgjedhjeve të parakohshme, gjë që do t’i lejonte të kandidonte sërish. Por për këtë nevojitet një shumicë prej tre të pestash në parlament, të cilën ai nuk e ka.
Nuk dihet mjaftueshëm për financat personale të Erdoganit për të vlerësuar plotësisht akuzat e opozitës për korrupsion dhe pasurim të paligjshëm. Megjithatë, regjistrime të publikuara dhe një sasi e madhe provash të tërthorta sugjerojnë se ai ka frikë seriozisht nga ndjekja penale në rast se humbet pushtetin.
Duke qenë se humbja e pushtetit mund të nënkuptojë burg ose mërgim, Erdogan po përdor çdo mjet në dispozicion. Nëse populizmi ekonomik nuk mjafton më, ai po ndërton garanci alternative. Nga njëra anë qëndron SADAT, një kompani private ushtarake që shpesh krahasohet me grupin rus Wagner. Nga ana tjetër, po shfaqen rrjete të reja paramilitare si “Vatrat Osmane”, një organizatë ultranacionaliste jashtë strukturave tradicionale shtetërore, besnike ndaj Erdoganit.
Pavarësisht se si do të zgjidhet dilema e tij politike, shenjat e panikut tashmë janë të dukshme. Kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, ndodhet në burg. Pasi një përpjekje e parë për ta neutralizuar në vitin 2022 nuk pati sukses, ai tani përballet me një sërë akuzash dhe me një dënim potencial që kalon 2.000 vjet burg. Autoritetet gjithashtu i kanë anuluar diplomën universitare, duke i hequr kështu një nga kushtet kushtetuese për kandidim presidencial.
Edhe Partia Republikane Popullore, forca politike e Imamoglut dhe njëkohësisht partia e themeluesit të Republikës Turke, Mustafa Kemal Ataturk, u përfshi në trazira pasi një gjykatë shpalli të pavlefshëm kongresin e saj të vitit 2023. Fakti që drejtuesit e zgjedhur në atë kongres kishin arritur rezultate të forta elektorale duket se u konsiderua një kërcënim i tepërt për t’u toleruar.
Faza e ardhshme e trajektores së Erdoganit duket e qartë: ai po radikalizohet drejt zgjidhjeve gjithnjë e më të rrezikshme. Prej vitesh ai promovon narrativën e “lojës”, një teori sipas së cilës ekziston një komplot ndërkombëtar kundër Turqisë. Në këtë koncept përfshihen herë vendet evropiane, herë Shtetet e Bashkuara dhe herë opozita e brendshme. Ky diskurs e paraqet Erdoganin si shpëtimtarin e vetëm të mundshëm dhe krijon bazën për delegjitimimin e kundërshtarëve dhe madje të rezultateve të ardhshme zgjedhore.
Po ashtu, ai ka ashpërsuar retorikën në politikën e jashtme. Politika e dikurshme e “zero problemeve me fqinjët” duket e largët. Sot Erdogan thekson shpesh se Turqia është më e madhe se kufijtë e saj dhe se Ankaraja ka të drejtë të ndikojë në fatin e vendeve fqinje. Retorika ndaj Izraelit është bërë gjithnjë e më agresive, ndërsa edhe qëndrimet ndaj Greqisë shpesh marrin tone konfrontuese.
Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se Erdogan do të përdorë konfliktin apo luftën për të qëndruar në pushtet. Megjithatë, duke parë zhvillimet e mëparshme, kjo mundësi nuk mund të përjashtohet. Aleanca e tij me nacionalistët ekstremë e bën situatën edhe më të paqëndrueshme. Konfliktet e zgjatura kanë ndihmuar Benjamin Netanyahun të ruajë kontrollin politik në Izrael. Ndoshta edhe Erdogan mund të marrë mësime nga kjo qasje.
Çfarëdo që të ndodhë më pas, bota duket se nuk po del nga epoka e liderëve autoritarë. Ajo thjesht po hyn në një fazë të re të saj. /Përshtati Pamfleti nga ForeignPolicy/
Lini një Përgjigje