
Kreu i “Nismës Thurje”, Endri Shabani, ka deklaruar se forca politike që ai drejton, do të mbështesë kandidatët e PD, pasi vetë Nisma Thurje nuk do të kandidojë me kandidatët e tyre.
Shabani u shpreh se ai nuk do të mbështesë kastën e vjetër të politikës, ku përmendi emrat e Sali Berishës dhe Flamur Nokës, të cilët sipas tij, u larguan me votë në vitin 2013.
“Ne kemi vendosur që të garojmë për ato gara që kemi mundësi që të fitojmë. Në 2023 nuk garuam për zgjedhjet për kryetarë, por për këshillat Bashkiakë. Edhe këtë herë nuk do te futemi në garën për kryebashkiak, pasi nga maji deri më sot, ne nuk kemi shkuar në 50% të votave. Për të mos djegur votat kemi mbështetur një kandidat opozitar. Por unë nuk mbështes dot as Flamur Nokën dhe as Sali Berishën, as ata që në 2013 u larguan me votë. Nuk kam problem me të rinjtë e PD-së, por problemin e kam me klasën e vjetër të PD-së që përfaqësohet me Berishën”, tha Shabani për “Report Tv”.
I pyetur nëse është e mirëpritur kandidatura e Binajt në Partinë Demokratike, Shabani tha se në PD mendojnë se po iu imponohet emri i aktorit si kandidat për Tiranën. Ai theksoi se Florjan Binaj nuk është kandidati i preferuar në PD.
“Për të kuptuar nëse Florjan Binaj është kandidat i PD-së, shko të flasësh me ata të PD-së dhe shihi sa të kënaqur janë. Ata janë të fundit që janë të kënaqur që po iu imponohet një kandidat nga jashtë. Unë mendoj që ata do ta suportojnë, por të jeni të sigurt që nuk është kandidati i preferuar i tyre. Ata preferojnë ta mbajnë partinë e mbyllur dhe të kandidojnë vetë”, shtoi Shabani.
Edhe pse Shabani tha se është kundër kastës së vjetër politike të drejtuar nga Sali Berisha dhe Flamur Noka, ai deklaroi se do të mbështesë kandidatin e tyre Florjan Binajn për zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës.
Lini një Përgjigje