Në vizitën për në Shqipëri, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni zgjodhi të udhëtojë me tragetin e linjës Puglia - Vlorë.
Ky udhëtim është në kontrast të thellë me lëvizjet e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, që përdor çarterat e avionët luksozë për çdo udhëtim...
Vendimi i kryeministres së Italisë Giorgia Meloni për të zgjedhur një traget linje krejt të zakonshëm, d.m.th., një nga mjetet e transportit publik më pak komodë e më pak të kushtueshëm për të ardhur në Shqipëri, është impresionues për çdo shqiptar. Sidomos për ne shqiptarët, kjo sjellje ofron një imazh të paparë ndonjëherë. Kryeministre e një vendi të fuqishëm ekonomik si Italia, e zgjedhur nga një parti politike me një program që cilësohet si i ekstremit të djathtë, qysh në nisje të vizitës së saj, Giorgia Meloni po tregon një shembull të thjeshtësisë e solidaritetit me shqiptarët e varfër që udhëhiqet nga një forcë politike që thotë se është e majtë.
Ndryshe nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, që, siç thamë, përdor çarterat e avionët luksozë për çdo udhëtim, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni në këtë rast tregoi se është e ndërgjegjshme se po viziton një vend më të varfër se atdheu i saj Italia. Madje shumë më të varfër se ç'mund ta marrë me mend ajo. Emigrantët e shumtë shqiptarë atje, janë vetëm njëra anë e dëshmisë së kësaj situate...
E nderuara mysafirja e lartë znj. Meloni,
Me modelin e thjeshtësisë e përulësisë së një shtetareje të përgjegjshme që na dhuruat ne shqiptarëve, sigurisht padashur, ju na ndërgjegjësuat të shohim më qartë të kundërtën e sjelljeve të homologut tuaj, kryeministrit të vendit tonë.
Për këtë do t'ju luteshim miqësisht, nëse do t'ju krijohej rasti ta pyesnit kryeministrin Edi Rama:
-Sa njerëz në Shqipëri nuk e sigurojnë dot ushqimin bazë, z. Rama?
-Sa pensionistë nuk blejnë dot ilaçet mujore?
-Sa prej tyre i mbajnë sytë nga emigrantët t'u dërgojnë para për ilaçe?
-A e dini, sa është numri i të sëmurëve me sëmundje tumorale në Shqipëri?
-A e dini ju Kryeministri i Shqipërisë që spitali onkologjik në Tiranë nuk është asgjë më shumë se "FERRI NË TOKË"?
-A e dini se çfarë vuajtjesh kalojnë ata pacientë deri sa i merr vdekja?
-Kam dëgjuar këto ditë se ju përflasin për lejen e një kulle të lartë..., Por a nuk mendoni se problemi i shqiptarëve, nuk është një kullë por, poshtërimi i pushtetarëve që u qëndron si kullë mbi kokë?
-Dhe në fund, ku mund të shkojë ky vend me në krye pushtetarë kaq grykës e arrogantë?
E nderuara znj. Meloni!,
Ne nuk shpresojmë shumë se, modeli i sjelljes suaj që dëshmoi thjeshtësi dhe fisnikëri njëkohësisht, mund të ndikojë në ndërgjegjësimin e një kryeministri arrogant, mospërfillës e grykës si Edi Rama.
Megjithatë ne ju falënderojmë se ju e bëtë tuajën...
Por ne ruajmë bindjen se shumëçka mund të korrigjohet, por jo grykësia. Ajo është një sëmundje që mund të izolohet vetëm nëpërmjet prangosjes./Pamfleti
Lini një Përgjigje