Gjykata e Posaçme i ka dërguar një shkresë Kuvendit ku kërkon marrjen në pyetje të ish kryeministrit Sali Berisha.
Shkresa është dërguar një ditë më parë dhe është marrë nga protokolli i Kuvendit.
GJKKO i kërkon Kuvendit të vërë në dijeni deputetin Sali Berisha për vendimin e dhënë nga ana e kësaj gjykate, që është detyrimi me paraqitje.
Berishës i është caktuar masa “detyrim paraqitje” dhe i është bllokuar pasaporta, pas akuzave për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Sali Berisha dyshohet për korrupsion pasiv të funksionarëve në bashkëpunim.
Veç tij, Gjykata e Posaçme vendosi detyrim paraqitje edhe për biznesmenin Fatmir Bektashi, ndërsa ra në pranga dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Berisha nuk është paraqitur asnjëherë në gjykatë, ndërsa seanca e radhës ndaj tij është parashikuar të mbahet më 20 nëntor.
Berisha nuk ka marrë pjesë në seancat e zhvilluara ndaj tij me argumentin se SPAK duhet t’i kishte marrë leje Kuvendit për vendosjen e masave shtrënguese ndaj tij.
Ai i konsideron një komplot të SPAK-ut në bashkëpunim me kryeministrin Edi Rama akuzat ndaj tij.
Ndaj tij është vendosur masa “detyrim paraqitje” dhe iu është bllokuar pasaporta.
Për mediat, Berisha ka thënë se e pengon Kushtetuta për të shkuar në gjykatë dhe fton Ramën ta ndryshojë Kushtetutën.
"Po konsulotem të ndërmarr hapa ligjorë me juristë. Në çdo kohë unë jam gati të paraqitem për tu pyetur e për çdo gjë. E vetmja gjë që nuk mund të pranoj është të shkel Kushtetutën e vendit. Jam autor i ligjit që kjo mbrojtje nuk duhet të ekzistojë. Hajde të ndryshojmë Kushtetutën por jo ta menderosim atë.", ka deklaruar Berisha.
Akuzat e SPAK për Sali Berishën
Në vijim të hetimit, është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova se, nga: Sali Berisha është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin J. M., parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
- Nga ana e shtetasit Sali Berishës në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, Jamarbër Malltezi
-Nga ana e shtetasit Sali Berishës në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij.
- Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij, të strukturave të ndryshme të administrates shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.
Lini një Përgjigje