
Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO, duke rrëzuar rekursin e Veliajt...
Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi masën e sigurisë 'arrest me burg' ndaj kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj pas seancës së zhvilluar ditën e sotme.
Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO, duke rrëzuar rekursin e Veliajt, i cili ndodhet në paraburgimin e Durrësit si i dyshuar për korrupsion, pastrim të parave, fshehje të pasurisë dhe futje të paligjshme të sendeve në ambientet e burgut.
Prokuroria e Posaçme i ishte drejtuar Gjykatës së Lartë me kërkesë dhe mes tjerash me argumentet se pse kryebashkiaku Veliaj duhet të hetohet me masën aktuale të sigurisë.
Gjykata e Lartë ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr. 13 (87-2025-85), datë 13.03.2025, te Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.
Gjykata e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më 3 mars të këtij viti la në fuqi edhe vendimin e shkallës së parë. Ndërkohë, sot hallka e tretë e gjyqësorit i konfirmoi si të drejta vendimin e Shkallës së Parë dhe atë të Apelit.
Kujtojmë se Veliaj ndodhet në burg prej datës 10 Shkurt dhe akuzohet nga SPAK së bashku me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, se ndërtuan një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive.
Përveç kryebashkiakut dhe bashkëshortes së tij, GJKKO ka vendosur masën “arrest në shtëpi” për biznesmenin Elman Abule dhe masën ‘detyrim paraqitje’ për pesë biznesmenë të tjerë, mes tyre Gentian Sula, Shkëlqim Fusha dhe Fatmir Bektashi, kompanitë e të cilëve janë përfituese të fondeve të bashkisë ose lejeve të ndërtimit në Tiranë.
Lini një Përgjigje