TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Maj 2023, 20:10

"Telenovela Gërdeci"/ Gjyqi zvarritet prej 4 muajsh, Mediu komenton nëpër studio zgjedhjet

Shkruar nga Pamfleti

"Telenovela Gërdeci"/ Gjyqi zvarritet prej 4 muajsh, Mediu

Kjo është hera e tretë që shtyhet seanca në të cilën është parashikuar të jepet pretenca e SPAK, me po të njëjtën arsye, pasi nuk janë paraqitur avokatët mbrojtës të Mediut. Pra duket sikur ish-ministri nuk e vë ujin në zjarr, ndërkohë që drejtësia rri e fle...

Vijon saga e talljes me procesin gjyqësor për Gërdecin. Ndonëse u duk sikur SPAK kishte hapur “petët e lakrorit” dhe do të bëhej drejtësi për një prej ngjarjeve më të rënda në vend, duket se e gjitha po përfundon flluskë sapuni. SPAK mori të pandehur Fatmir Mediun dhe e dërgoi atë për gjykim, por procesi po zvarritet nga ditë në ditë dhe askush nuk e vret mendjen.

SPAK dërgoi për gjykim dosjen që në fillim të shkurtit, por janë 4 muaj dhe në GJKKO është zhvilluar vetëm një seancë e plotë. Bëhet fjalë për seancën e datës 9 prill, ku dosja kaloi për gjykim, por gjykata pranoi gjykimin e shkurtuar për Fatmir Mediun. Në të gjitha seancat e tjera procesi ka dështuar, një herë për shkak të SPAK dhe një herë për shkak të Mediut. Sot pritej të mbahej seanca e radhës dhe SPAK duhej të jepte pretencën, por gjyqi u shty sepse avokatët e Mediut nuk ishin të disponueshëm.

Por absurdi është se teksa në GJKKO dështojnë njëra pas tjetrës seancat, Fatmir Mediu vijon të jetë i qetë. Madje këto ditë ai ka “mbirë” në media. Mbrëmë ishte në disa studio televizive dhe komentonte humbjen e zgjedhjeve. Thuajse gjatë gjithë javës ka qenë nëpër studio dhe flet për zgjedhjet, ndërkohë që avokatët e tij bëjnë lojëra. Normalisht me bekimin e tij.

Kjo është hera e tretë që shtyhet seanca në të cilën është parashikuar të jepet pretenca e SPAK, me po të njëjtën arsye, pasi nuk janë paraqitur avokatët mbrojtës të Mediut. Pra duket sikur ish-ministri nuk e vë ujin në zjarr, ndërkohë që drejtësia rri e fle. GJKKO nuk ka marrë asnjë masë ndaj avokatëve.

Në Gërdec u vranë 26 persona dhe familjarët kërkojnë ende drejtësi. Mediu është i pari zyrtar politik që gjykohet dhe duket se po gatuhet diçka e dyshimtë. Seancat po shtyhen, po ashtu familjarët nuk lejohen si palë dhe vetë Mediu përfiton gjykim të shkurtuar. Mos vallë po gatuhet ndonjë pazar që ish-ministri t’ia hedhë paq. Nëse ai del i pafajshëm apo dënohet me gjobë nga ky proces, atëherë reforma ka dështuar. SPAK-ut dhe GJKKO do ju mbesë vetëm emri./Pamfleti

mediu gjyqi

Lini një Përgjigje