
Një atentat mafioz ndodhi pasdreken e së martës në rrethrrotullimin e Rinasit, ku viktimë mbeti Gilmando Dani, 47 vjeç.
Zona ku ndodhi atentati konsiderohet ndër më të sigurtat, e cila monitorohet jo vetëm me kamera sigurie, por edhe nga forca policore.
Krimi ndodhi pak minuta pasi ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, gjatë një raportimi në një prej komisioneve parlamentare tha se Shqipëria është vendi më i sigurtë.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar deputeti i PD-së, Klevis Balliu, sipas të cilit kur krime të tilla ndodhin ndër vendet më të sigurta, atëherë çfarë mbetet më.
“Vetëm 10 minuta pas mbylljes së Komisionit të Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes, ku opozita i kërkonte llogari ministres së Brendshme dhe kupolës së Policisë së Shtetit për mungesën e sigurisë në vend, ministrja, me përbuzje, deklaroi se Shqipëria është vendi më i sigurt dhe me një rritje të vazhdueshme të sigurisë.
Por menjëherë më pas ndodh një atentat mafioz në aeroportin e Rinasit, zonën që supozohet të jetë më e sigurta në Shqipëri.
Ky fakt tregon qartë se qeveria ka në plan të fshehë të vërtetën, sepse është bashkëpunëtore e drejtpërdrejtë me ata që kryejnë këto atentate, duke rrezikuar jetën e të gjithë shqiptarëve.
Kur aeroportet nuk janë të sigurta, kur shkollat nuk janë të sigurta, kur gjykatat nuk janë të sigurta, çfarë mbetet më?”, shkruan Balliu.
Lini një Përgjigje