
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur për takimin me kryeministrin Rama, presidentin Begaj dhe kryetaren e kuvendit Lindita Nikolla në Tiranë.
Sipas Kurtit, ky takim i ka shërbyer atij për të treguar se çfarë po ndodh me qeverisjen e Kosovës dhe për të diskutuar mbi çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, pasi sipas tij ka pasur keqkuptime.
“Unë takova tre krerët e institucioneve, presidentin Begaj, kryetaren Nikolla dhe kryeministrin Rama dhe pastaj ish-presidentin Meta. Qëllimi im ishte që në gjysmë të mandatit të vij dhe të takohem me krerët e shtetit shqiptar ashtu që t’i njoftoj pak se ku ndodhet qeverisja jonë, por sidomos t’i njoftoj ata për procesin e dialogut me Serbinë për marrëveshjen e normalizimit që kemi arritur edhe në Bruksel më 27 shkurt edhe në Ohër më 18 mars.
Meqenëse ka shumë mos kuptime, keqkuptime, keqinterpretime dhe desha që nga dora e parë të njoftohem për ecurinë e procesit negociator dhe për elementët përmbajtsore e të tjera të kësaj marrëveshje e cila është një arritje e madhe për normalizim të marrëdhënieve që nënkupton se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të mos jenë normale, pa çka se Kosova është vend normal e demokratik.”- tha Kurti në “Wake Up”.