
Por me përjashtim të Tiranës, e cila për shkak të numrit të lartë të mandateve për deputet, plot 37 të tilla, ka numrin më të lartë të deputetëve në listën e sigurtë, 12 vende, në qarqet e tjera numrat janë mjaft të kufizuar
Në kampin opozitar duket se ka një situatë kaosi sa i takon listës së kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 11 majit, ndërsa gjithçka thuhet se do të vendoset pasditen e së mërkurës, ku pas një mbledhjeje Kryesie do të mblidhet edhe Këshilli Kombëtar.
Afati për dorëzimin e listave është deri në orën 24:00 të 12 marsit, ndërsa orët e fundit duket se janë edhe më problematiket në rradhët e kampit opozitar. Aleatët e Berishës kanë mundur të marrin 8 vende të sigurta në listat e mbyllura që ndahen mes qarqeve Tiranë, Elbasan, Fier e Durrës. Ndërkohë që ka raportime se pas Ilir Metës, edhe Shpëtim Idrizi mund të kandidojë në listën e hapur të Tiranës, ndërsa në listën e sigurtë si përfaqësuese e PDIU pritet të hyjë Mesila Doda. Për deputeten e PDIU ishte raportuar se do të tërhiqej nga kandidimi, por dukej se kjo ishte thjesht një manovër, ndoshta për të bindur Berishën, që të lëshonte pe në raport me PDIU-në duke i lënë dy vende të lira në listat e sigurta.
Por me përjashtim të Tiranës, e cila për shkak të numrit të lartë të mandateve për deputet, plot 37 të tilla, ka numrin më të lartë të deputetëve në listën e sigurtë, 12 vende, në qarqet e tjera numrat janë mjaft të kufizuar. Madje edhe në Tiranë, nëse kihet parasysh fakti se nga 12 vende 4 i përkasin aleatëve (2 PL, 1 PR, 1 PDIU), demokratëve të Berishës i mbeten vetëm 8 pozicione. Dhe për këto vende natyrisht që do të ketë përplasje, brryla, qejfmbetje. Sali Berisha, Jozefina Topalli, Edi Paloka, Belind Këlliçi, Albana Vokshi, Flamur Noka, Besart Xhaferri janë tashmë të vendosur në listën e sigurtë të Tiranës dhe mbetet vetëm 1 emër që do të plotësonte 8-shen, që i përket demokratëve në qarkun më të madh. Sipas gjasave emri që do të hyjë është ai i Klevis Balliut, por në garë janë edhe Dhurata Çupi dhe Ervin Minarolli.
Ndaj dhe duket se rezultatet e primareve mbi emrat më të votuar ose nuk do të merren parasysh, ose do iu afrohet një vend në listën e hapur. Po cilët janë disa nga emrat e njohur në rradhët e demokratëve që duhet të luftojnë të mbledhin vota jo vetëm për partinë, por edhe preferenciale.
Jorida Tabaku, deputetja e Tiranës, e cila mbajti një qëndrim të distancuar gjatë përplasjes së fortë Berisha-Basha, duket se do të jetë pjesë e listës së hapur. Siç duket kjo është ‘fatura’ që deputetes demokrate duhet të paguajë, për mospozicionimin në kohë në krah të Berishës.
Kreshnik Çollaku, deputeti i Qarkut Dibër, gjithashtu do mbetet ose në listën e hapur, ose do t’i duhet të bëjë ‘pushim’. Por nuk ka pse mërzitet shumë, pasi ka edhe plot kolegë të tjerë deputetë që do të mbeten në listat e hapura.
Edmond Spaho, Ledina Aliolli, Eleni Qirici, të tre në Qarkun e Korçës rrezikojnë të mbeten jashtë listës së sigurtë.
Po kështu në Qarkun e Elbasanit Zheni Gjergji ose Dash Sula rrezikojnë të jenë në listë të hapur, ndërsa një vend në listën e sigurtë të opozitës i përket Partisë së Lirisë.
Në Qarkun e Fierit janë Ilda Dhori ose Saimir Korreshi që do të duhet të garojnë mes tyre për një vend të sigurtë, ndërsa në Lezhë situata bëhet edhe më interesante pasi janë Elda Hoti, Lindita Metaliaj, Kastriot Piroli që duhet të ‘hedhin’ short se kush do të mbetet në listën e hapur.
Dhe në Kukës është Isuf Çelaj, që pavarësisht se u pozicionua që në momentet e para në krah të Berishës, në përplasjet që ky i fundit pati me Lulzim Bashën, do të duhet të garojë në listën e hapur.
Emrat sipas Qarqeve
Durrës: Igli Cara, Luan Hoti, Andia Ulliri
Shkodër: Nard Ndoka
Gjirokastër: Arben Ristani
Korçë: Edmond Spaho, Ledina Aliolli, Eleni Qirici
Elbasan: Zheni Gjergji ose Dash Sula
Fier: Ilda Dhori ose Saimir Korreshi
Lezhë: Elda Hoti, Lindita Metaliaj, Kastriot Piroli
Kukës: Isuf Çelaj
Tiranë: Gligels Muçollari, Myslym Murrizi, Mimoza Hajdarmataj, Ilda Zhulali, Shpëtim Idrizi, Hysen Kadiu, Ilir Alimehmeti, Kreshnik Çollaku, Jorida Tabaku /Pamfleti/
Lini një Përgjigje