
Ambasadori Luigi Soreca, i Ngarkuari me Punë i delegacionit të BE-së gjatë konferencës për median pasditen e sotme pasi i dorëzoi qeverisë progres raportin e Komisionit Europian, është pyetur mbi kaosin e Rithemelimit në Kuvend.
Soreca tha se shpreson që të kthehet normaliteti, ndërsa u bëri thirrje partive politike që të kthehen në dialog.
“Institucionet funksionale në demokraci janë një aspekt thelbësor i integrimit të Shqipërisë në BE. Shpresoj të kthehet shpejt në funksionalitet normal dhe apeli ynë është që të gjitha partitë të punojnë drejt bashkëpunimit dhe dialogut që ta përmbushin këtë objektiv. Raporti e identifikon si rruga për të ecur para”, tha Soreca.
Kuvendi u kthye në kaos sot pasi opozita përmbysi karriget dhe ndezi tymuese. Seanca parlamentare zgjati vetëm 20 minuta ku mazhoranca rrëzoi 6 projektligje të depozituara nga opozita.
Deputetët e PD, kanë bërë të qartë se janë tre kushte të cilët duhet të plotësojë mazhoranca që të kthehet normaliteti në Kuvend.
“Opozita është e vendosur te mos lejoi jetë normale parlamentare deri ne plotësimin e kërkesave të saj: 1- Ngritjen e komisioneve hetimore,
2- Përfshirjen në komisionin e reformës zgjedhore,
3- Mazhoranca të heq dore nga përfshirja në zhvillimet e brendshme të opozitës, duke mos ndërhyjë e të vendos kush është opozita”, thuhet në kërkesat e opozitës.
Lini një Përgjigje