
Katër anëtarë të KAS votuan dje kundër ankimimeve të 4 kandidatëve të opozitës, përfshi edhe Ilir Alimehmetit, që kërkonin rinumërim votash në Qarqet Tiranë dhe Durrës.
I vetmi që votoi për rinumërimin ishte Ilir Rusmali, ndërkohë që argumenti që u përdor nga 4 anëtarët e tjerë të KAS që rrëzuan ankimimet kishte lidhje me procedurën, pra me faktin se kërkesat ishin paraqitur nga individët dhe jo nga subjektet që ata përfaqësuan në garë.
Anëtari i opozitës në KAS, Ledio Braho, sqaroi për Report Tv votën kundër kërkesave për rinumërim nga kandidatët demokratë, duke sjellë precedentin e Lediana Fratarit.
"Edhe në 2021, ka qenë precedenti “Lediana Fratari” që kërkoi ri-numërim dhe KAS ka mbajtur qëndrimin që nuk legjitimohen kandidatët në kod, por vetëm subjektet zgjedhore. Të njëjtin qëndrim kemi mbajtur edhe këtë herë. Unë i qëndroj ligjit. Kjo është evidentuar edhe nga OSBE-ODIHR (fakti që kandidati nuk kërkon dot vetë). Pra që kandidatit t’i pranohet kërkesa për ri-numërim, ose duhet të ndryshohet ligji ose duhet të jetë partia që kërkon. Unë nuk do të shkel ligjin", tha ai në një bisedë telefonike.
Çfarë kërkonin kandidatët demokratë?
Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj dhe Lisandër Hoxha, i kërkuan KQZ-së rinumërimin e votave të tyre në Tiranë. Alimehmeti në shkresën e tij, theksonte se gjatë procesit të verifikimit të kamerave, janë konstatuar disa parregullsi, të cilat mund të ndikojnë në ndryshimin e rezultatit e renditjes në listën e hapur. Në një QV, ai thotë se 27 vota preferenciale për të, i kanë kaluar një tjetër kandidati, duke u shënuar në tabelën përmbledhëse 0 vota. Mjeku Alimehmeti nuk fitoi dot një vend në parlament edhe pse mori 18 mijë vota personale. Ai u mund të garën e brendshme nga Jorida Tabaku, e cila rezulton me një avantazh prej 2 mijë votash.
Mimoza Hajdarmataj, në kërkesën e saj thonte se “rezulton se ka pasur parregullsi në masën mbi 1000 vota në të paktën 6 KZAZ", ndërsa Hoxha pretendoi se nga videot e marra jo të plota nga KQZ të procesit të numërimit të votave të kandidatëve, ka konstatuar se disa vota preferenciale të tijat janë regjistruar në emër të një kandidati tjetër. Ai ka në total 1 902 vota, ndërsa Kalaja i cili po ashtu kërkoi rinumërim të votave të tij mori 7291 vota, duke u renditur i dyti. I pari që Qarkun e Durrësit ishte Arjan Ndoja me 8249 vota, i vetmi që siguroi mandat nga lista e hapur e PD-ASHM në qarkun e Durrësit.
Lini një Përgjigje