Politike18 Dhjetor 2023, 08:15

Këshilli i Mandateve shqyrton sot kërkesën e SPAK për arrestimin e Sali Berishës, Foltorja organizon protestë

Shkruar nga Pamfleti
Këshilli i Mandateve shqyrton sot kërkesën e SPAK për
Sali Berisha

Ditën e sotme duket se do të vendoset fati politik i Sali Berishës...

Këshilli i Mandateve për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin mblidhet sot, në orën 12:00 për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë të Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha.

Nuk dihet nëse Berisha do të jetë sot përballë socialistëve dhe prokurorëve të SPAK-ut, apo do të përfaqësohet me avokatët e tij në këtë mbledhje.

Në të njëjtën ditë është edhe data e paraqitjes së Berishës para oficerit të policisë gjyqësore, vendim të cilin e ka refuzuar tre herë.

Në shkresën drejtuar Kuvendit, më 12 dhjetor SPAK argumenton se ish-kryeministri nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës duke mos u paraqitur asnjëherë para oficerit të policisë gjyqësore/hetuesit.

Mbetet për t’u parë nëse vendimin për arrestimin e Berishës do të merret vetëm me votat e 5 socialistëve, apo atyre do t’u bashkohet edhe ajo e përfaqësuesit të Lulzim Bashës në këtë këshill, Enkelejd Alibeaj. Ndërkohë në pikëpyetje është prezenca e anëtarëve të tjerë demokratë në këtë mbledhje, të cilët janë pjesë e aksionit të opozitës në Kuvend si Gazment Bardhi, Greta Bardeli, Ervin Salianji dhe Saimir Korreshi.

Ndërkohë, paralel me këtë zhvillim, para Kryesisë së Kuvendit, Rithemelimi ka thirrur protestë, të cilën Sali Berisha vetë refuzon ta quajë thirrje në mbrojtje të tij.

“Nuk protestojmë për personin, por protestojmë strikt për grushtin e shtetit brenda shtetit që po bën Edi Rama duke marrë pushtetin e parlamentit. Këto protesta do të jenë të pandërprera tani. Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër”, thotë Berisha.

Për tubimin e thirrur nga demokratët, komisariatet e policisë do të jenë sot në gatishmëri edhe për mbarëvajtjen e tij. Drejtoria e Policisë së Tiranës ka hartuar një plan masash me prezencë të shtuar të punonjësve të rendit në perimetrin ku do të mbahet protesta. 

Paralelisht me këto zhvillime, 28 deputetë të grupit parlamentar të PD-së teksa e cilësojnë në shkelje të ligjit themeltar të shtetit dhe një vendim të diktuar politikisht masën e dhënë nga SPAK-u ndaj Sali Berishës, iu drejtuan pak ditë më parë Gjykatës Kushtetuese, duke u kërkuar togave të zeza pezullimin e masave shtrënguese ndaj ish-kryeministrit dhe interpretimin e nenit 73 të Kushtetutës, pika 2 e tij.

Protesta do të vazhdojë edhe të enjten, kur me gjasë, do të votohet në seancë plenare dhënia e autorizimit për arrestimin e ish-kryeministrit, nëse socialistët nuk do të nxitojnë të thërrasin një seancë të posaçme më parë.

Edhe në seancën e votimit, pikëpyetja është vota e opozitës, në kushtet kur PS ka konfirmuar votën pro, PD zyrtare është shprehur pro përmes deklaratave, por pa qartësuar prezencën në seancë, ndërsa deputetët e Berishës dhe Bardhit kanë kushtëzuar votën me plotësimin e kërkesave të tyre në parlament.

Ndërkohë për t’i shpëtuar arrestimit, Berisha ka kthyer sytë edhe nga Gjykata Kushtetuese, të cilës i kërkon rrëzimin e vendimit të parë të GJKKO-së e pezullimin e të gjithë të tjerëve që rrjedhin prej tij, në kushtet kur për detyrim paraqitje nuk u kërkua autorizim nga Kuvendi.

spak arrestim sali berisha foltorja proteste