
Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe kryetar i PS-së, në një takim elektoral në Shkodër, tha se me këtë qytet ka pasur kunjin më të madh, derisa arriti që forca politike që drejton të marrë shumicën e votave të qytetarëve. Madje Rama u shpreh se tashmë nuk shkon në Shkodër duke iu lutur në gjunjë për ta votuar.
“Faleminderit jush dhe falë shumicës qytetarëve të Shkodrës unë s’jam më në pozitën që të vij këtu si shumë herë, gati-gati t’ju ulem në gjunjë e me ju lut shkodranëve: “Aman ma besoni këtë punë që t’ju tregoj çfarë di të bëj, pastaj gjykoni vetë.
Sa herë ia besuat kënetës, zhyty më thellë dhe votoni më shumë për kënetën. Deshi Zoti i Madh, falë jush, prapë e them, e di që ka qenë një konspiracion i juaji që iu bëtë burrave: “Hajde të shkojmë të provojmë këtë rrugë tjetër.”
Ne sot kemi mundësi t’u themi të gjithëve që vetëm në 2 vjet ne kemi bërë për Shkodrën sa nuk është bërë në të gjitha vitet e mëparshme të marra së bashku. Madje akoma më keq për ata, se në 2 vjet ne kemi ndërtuar sa kemi mundur, po s’kemi bërë asnjë dëm, ndërsa në vitet e mëparshme ata kanë ndërtuar hiç gjë dhe kanë bërë vetëm dëme
Këtu e kam pas edhe kunjin më të madh se fiton në të gjithë Shqipërinë, hajde këtu humb, dhe duke qenë se kam dhe gjyshen shkodrane katolike, më vinte plasja dhe thosha: çfarë kanë këta me mua?”,-tha Rama.
Në vijim ai premtoi se për sa kohë ai do të jetë Kryeministër dhe PS do të jetë në qeverisjen e vendit, nuk do të ketë hapa pas me drejtësinë.
“Sa të jem unë këtu dhe sa të jetë PS nuk ka për të patur hap pas me drejtësinë. Kjo punë nuk u lihet në dorë atyre që pritet të zgjidhen për të qeverisur vendin vitet e ardhshme kjo merr fund kur të futemi në BE”, tha Rama.
Lini një Përgjigje