Politike13 Prill 2023, 13:09

KQZ nuk i dha asnjë lek për fushatë, Berisha: Do financohemi me kontribute vullnetare

Shkruar nga Pamfleti
KQZ nuk i dha asnjë lek për fushatë, Berisha: Do financohemi me
Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi

Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar vendimin e KQZ-së, e cila ditën e djeshme ndau fondet për partitë politike, ku grupi i tij nuk mori asnjë qindarkë, pasi fondet i kaluan PD-së zyrtare të Enkelejd Alibeajt.

Berisha tha se kjo tregon se KQZ është peng i Ramës dhe shtoi se do të njoftojnë për krijimin e një rregulloreje për përballimin e fushatës.

“Një nga aktet më të turpshme, më të shëmtuara është se mundi, djersa dhe taksat e 620 mijë qytetarëve që votuan PD-në, grabiten nga një grup, pengje të Edi Ramës.Jo pak, por janë 2 milionë dollarë, 1 milionë dollarë është vetëm fushata.

Përfaqësuesit e 620 mijë votuesve nuk marrin asnjë qindarkë.

Kjo tregon fytyrën e shëmtuar të këtij regjimi. Kjo tregon keqpërdorimin e dyshes famëkeqe Alibasha-Brava.

Por asgjë nuk e pengon PD-në. Ajo do financohet nga kontributet vullnetare të anëtarëve të saj. Së shpejti do njoftojmë një rregullore për përballimin e fushatës.

PD-në po e financon fryma e fitores. Ka një frymë fitoreje kudo që shkon.

Ju e shihni se Erion Veliaj ngarkon në furgona punonjës të policisë dhe përgatit takimet vetëm me punonjës të bashkisë.

Edi Rama e hapi fushatën vetëm me nomenklaturën e tij të korruptuar, se edhe ai ka frikë nga qytetarët. Pra, janë në një dëshpërim të thellë.

Forca politike e idealeve të lirisë, e transformimeve epokale të Shqipërisë është në një ngjitje vertikale. Janë të pashpresë.” ,tha Berisha.

berisha celibashi fondet për zgjedhjet