TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Mars 2026, 10:01

Kryesia e lepurushit: Enigma e 30 minutave të Edi Ramës në selinë e PS

Shkruar nga Pamfleti
Kryesia e lepurushit: Enigma e 30 minutave të Edi Ramës në
Karikatura (IA) /

Mbledhjet “flash” të PS-së pa debat dhe pa diskutim janë kthyer në një parodi politike...

Mbledhjet 30-minutëshe të kryesisë së Partisë Socialiste, të raportuara rregullisht nga mediat, po ngjallin gjithnjë e më shumë ironi dhe kritikë politike. Sipas kritikëve, ato nuk janë diskutime reale, por vetëm shpallje vendimesh nga kryeministri Edi Rama, pa debat dhe pa pjesëmarrje reale të anëtarëve. Fenomeni po shihet si një simptomë e centralizimit të plotë të vendimmarrjes brenda PS-së dhe e mungesës së një procesi politik normal brenda partisë në pushtet.

Ngjarja më absurde që raportohet në mediat televizive, kryesisht informative, është kur Edi Rama thërret takim në zyrën e tij në selinë e PS-së. Reporterët dalin para mikrofonave dhe tregojnë se “mbledhja ka zgjatur 30 minuta”.

Është kthyer në refren tashmë i kronikës nga selia rozë dhe pyetja spontane që nuk merr përgjigje është: çfarë mund të bëhet në 30 minuta?

Edhe sikur çdo anëtar i kryesisë të flasë vetëm një minutë, sërish nuk del koha, pasi kryetari do të mbajë një fjalë që së paku mund të zgjasë 5–10 minuta.

Një briefing normal në çdo organizatë biznesi, institucionale apo politike zgjat së paku 1 deri në 2 orë, pasi realisht bëhet fjalë për një diskutim, qoftë edhe për urdhra që vijnë nga lart.

Ndaj “30 minutëshi” që na shitet nga mediat tona si një mbledhje e Edi Ramës në kryesinë e PS-së ngjan më shumë me gallatën e seksit të lepurushave, i cili nuk kap as 5 sekonda.

Vetëm raportimi i gazetarëve për axhendën që gjasme ka marrë kryesia e Partisë Socialiste i ha të paktën 10 minuta, imagjino diskutimi brenda nëse do të kishte ndodhur. Në realitet nuk ka ndodhur, pasi Edi Rama e mbledh kryesinë për të shpallur një kalendar apo ndarje detyrash për çdo anëtar dhe në fund thotë fjalën e tij të njohur: “faleminderit dhe mirupafshim”.

Por kjo në fakt nuk është mbledhje kryesie, është shpallje detyrash për anëtarët nga Edi Rama, të cilat edhe nëse nuk jepen live, siç ka ndodhur herë të tjera mund të shpërndahen në WhatsApp.

Mbledhjet e Edi Ramës në selinë e PS-së janë një skenar për të treguar se ai është jo vetëm kryeministër, por edhe drejtues absolut i mazhorancës, dhe nga ana tjetër për t’u treguar atyre pak zërave kritikë se në atë godinë nuk hyjnë dot pa miratimin e tij.

Gjithsesi Partia Socialiste, me “30 minutëshet” e mbledhjeve të Edi Ramës, është kthyer në një parodi që me ndrojtje tallet në rrjet nga mjaft socialistë. Ndërsa nga demokratët sulmohet dhe mallkohet për të fituar pikë politike.

Por pikërisht kjo metodë “lepurushash” e Edi Ramës për të bërë mbledhje të kryesisë së PS-së, në një situatë normale do t’i jepte opozitës dhe opinionit publik materialin më të pasur për tallje. Pasi në 30 minuta nuk mund të ndodhë asnjë diskutim real, por vetëm një shpallje e shpejtë vendimesh, siç i thonë italianët “alla sveltina”, sipas metodës së lepurushit.

Përveç notave tragjikomike, në realitet ky është një problem që meriton diskutim serioz, pasi të gjithë ata që kanë një minimum logjike e kuptojnë këtë absurditet dhe bëjnë humor për të në çdo ambient social.

Vetëm kryeministri, i shkëputur nga realiteti, mendon se kjo përbën lajm, ndërkohë që në fakt ai është lakuriq dhe të gjithë qeshin me lepurushin dy metra të gjatë./Pamfleti

kryesia e lepurushit enigma e 30 minutave të ramës në kryesi

Lini një Përgjigje