TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Janar 2024, 22:17

Ku ka humbur Ilir Meta?!

Shkruar nga Pamfleti
Ku ka humbur Ilir Meta?!
Ku ka humbur ish-presidenti?

Ku ka humbur ish-presidenti që do të sakrifikohej si Alende, apo do i vite gjoksin topit si Mic Sokoli...

Premtoi revolucione, kërcënonte se do të sakrifikohej si ish-Presidenti i Kilit, Salvador Allende, apo do i vinte gjoksin topit si Mic Sokoli. Por ish-presidenti “rebel” që do të çlironte vendin nga diktatura është zhdukur.

E kemi fjalën për Ilir Metën. Kur ishte i mbrojtur nga imuniteti dhe ruhej nga Garda brenda mureve të Presidencës, Ilir Meta ishte përditë në televizion. Madje pas protestës së famshme të 2 marsit, mori shpatën e lirisë në dorë. Me të dalë nga ajo zyrë krijoi Partinë e Lirisë, e cila do çlironte vendin. Por ku është sot Ilir Meta?

Ish-presidenti ka afro 1 muaj që nuk ka bërë asnjë dalje publike, por edhe më herët daljet e tij kanë qenë të rralla dhe spontane. Takimi i fundit i Metës me gazetarët ka qenë më 21 dhjetor dhe që atëherë ai ka dalë nga qarkullimi. Dje hodhi një video me disa rosa që notonin, por asnjë fjalë për situatën politike.

Sot nis sesioni i ri parlamentar dhe Meta sërish nuk u bë i gjallë. Deputetët e tij shkojnë në seancë sa për sy e faqe dhe marrin atë 3 milionshin në fund të muajit. Asnjë fjalë për Berishën dhe po ashtu nuk kanë shkuar te protestat që zhvillohen poshtë banesës së tij.

Sa i takon Berishës, Meta ka qënë i distancuar prej tij tërësisht që kur ju komunikua akuza nga SPAK. Po ashtu ai ka ndaluar sulmet ndaj qeverisë dhe nuk dihet nga bëhet. Ka zëra se ka qenë sëmurë, por fotot dhe videot që poston tregojnë se vijon të jetë në lëvize.

Mos është kjo një strategji e kundërt e Metës nga Berisha, për tu mbrojtur nga drejtësia?

Berisha sfidoi hapur SPAK me amerikanët dhe e pamë se ku përfundoi, në katin e tetë të një pallati ku luan domino me dhëndrin. Meta që në krye të herës, pra kur u përfol se kishin nisur hetimet për të, ka vepruar në prapaskenë.

Historikisht Meta ka qenë njeri i punëve nën rrogoz. Kështu arriti paktin me Berishën në vitin 2013, kështu bashkëpunonte me të në vitin 2017, kështu u bë president, etj.

Meta e sheh që Berisha nuk po ja del me luftë dhe duket se po ndjek strategjinë e Ilir Beqajt, duke punuar në prapaskenë, përmes lobimeve, parave dhe miqësive.

SPAK i sekuestroi një telefon Kryemadhit dhe thuhet se ja ka sekuestruar dhe Metës, por lajmi u mbajt i fshehtë. Doli vetëm pas ankimimit të Kryemadhit. Prokuroria te rasti i Metës dhe Kryemadhit u tregua rigorozisht hermetike, ndryshe nga Berisha e të tjerë. Pra duket sikur Meta ka vendosur të fokusohet te halli i tij dhe të punojë sa më fort të shpëtojë nga burgu. Ai e ka kuptuar se të rrish krah Berishës nuk zgjidh gjë, madje i hap punë vetes.

Por ka e një teori tjetër. Mos vallë Meta po pret fundin e Berishës dhe do të dalë sërish në skenë për të përfituar nga kaosi i opozitës? PD është ndarë në 3-4 copa dhe në zgjedhjet e ardhshme nuk dihet se si do të përfundojë dhe nuk është çudi që Meta të tentojë të përfitojë.

Çfarëdo planesh që të ketë Meta, një gjë është e sigurt, litari për të po ngushtohet dhe ashtu si për shumë të tjerë, SPAK është kthyer më makth për të. /Pamfleti

meta berisha

Lini një Përgjigje