
Teksa Berisha ka hallin e fëmijëve, Meta ka hallin e vetes. Ai ka 5-6 dosje në SPAK...
Halli duket se ka bërë bashkë Ilir Metën dhe Sali Berishën. Ndonëse kreu i PL pas zgjedhjeve tentoi të distancohej nga plaku “non grata”, tani duket se është në koordinim total me të.
Halli i tyre më i madh është drejtësia. Prej javësh flitet se SPAK i ka vënë në shënjestër dhe të dy janë hedhur në sulm ndaj drejtësisë. Berisha nuk la ditë pa sulmuar SPAK, ndërsa javën që lamë pas shkoi deri aty sa të ofendonte prokuroren që po i heton dhëndrin. Ndërsa sot ishte Meta, i cili nuk guxon ta përmendë emrin e SPAK, por ka shpërthyer ndaj drejtësisë së re.
“Epiqendra e këtij korrupsioni është tek zyra e kryeministrit aktual, i cili është ideuesi, por edhe zbatuesi kryesor edhe i drejtësisë me regji. Mos veprimi i drejtësisë në kohë ndaj përgjegjësve për aferat e mëdha po i krijon mundësi qeverisë që të grabisë qindra miliona euro, në afera tashmë të njohura, inceneratorët, sterilizimi dhe shumë afera të tjera. Vendi është në duart e një qeverie të inkriminuar, ndaj përgjegjësitë bien mbi opozitën për rikthimin e ligjshmërisë në vend dhe për rendin kushtetues”, tha Meta.
Halli i dytë i Berishës është Lulzim Basha. Ky i fundit po mban vulën e PD dhe e ka nxjerrë jashtë loje ish-kryeministrin. Edhe në këtë betejë Meta i ka dalë në krah duke sulmuar grupin e Bashës.
“Si forcë e vendosur opozita ka pasur dhe do ketë një raport parimor me çdo faktor të sinqertë opozitar, por edhe që vë interesin kombëtar mbi çdo interes tjetër. Ky është një raport që udhëhiqet nga interesi i vendit dhe i përballjes me këtë regjim mafioz. Ne kemi sakrifikuar për të mbrojtur opozitarizimin nga fake opozita, si zgjatim i Edi Ramës, i cili i ka sjellë dëme madhore mbrojtjes së interesit të qytetarëve duke minuar sistemin e kontrollit dhe balancës mes pushteteve”, tha Meta.
Më tej ai sulmoi kryeministrin Edi Rama, teksa u ndal dhe te operacioni “Tempulli” ku sërish aty sulmoi drejtësinë.
Ajo që bie në sy është se si Meta ashtu dhe Berisha janë trembur nga ajo që pritet nga SPAK. Teksa Berisha ka hallin e fëmijëve, Meta ka hallin e vetes. Ai ka 5-6 dosje në SPAK, duke filluar nga afera CEZ-DIA, lobimet në SHBA, pasuritë, ndërhyrjet estetike, etj. /Pamfleti