Në muajt e verës në Presidencë është bërë nami me udhëtime...
Nisja e Bajram Begajt drejt SHBA, për të marrë pjesë në mbledhjen e OKB duket se ka përfunduar në nivelin e një skandali.
Begaj, i cili nuk ka dalë kurrë në një intervistë për mediat dhe nuk ka mbajtur kurrë një konferencë shtypi me gazetarët, ka marrë me vete gjithë armatën e këshilltarëve dhe parukieren e gruas. Se për çfarë do e këshillojnë Bajramin nuk e dimë, por shpresojmë ta ndrisin, pasi në Shqipëri me këshillat e tyre nuk kanë arritur gjë.
Megjithatë, problemi nuk është vetëm që Begaj ka marrë me vete gruan, djalin dhe parukieren e gruas, por i gjithë stafi do përfitojë nga buxheti i shtetit. Mesatarisht një biletë SHBA-Shqipëri vajtje-ardhje kushton 2 mijë dollarë, plus shpenzime ushqimi dhe hoteli, etj. Të gjitha këto do mbulohen nga buxheti i Presidencës, e cila në fakt e ka lëshuar fare dorën që kur Bajram beu mori detyrën.
Begaj u bë president në korrik të vitit që lamë pas. “Pamfleti” ka bërë një verifikim mbi shpenzimet që janë bërë nga shtatori 2022 deri në shtator 2023 për udhëtime jashtë shtetit në Presidencë dhe figuron se Bajram Begaj ka shpenzuar afro 200 mln lekë të vjetra. Më saktë për bileta avioni, dieta dhe shpenzime të tjera kanë shkuar 18,586,796. Nëse futim dhe shpenzimet e javëve të fundit e siguri që kapim kuotën e 20 mln lekëve të reja.
Të dhënat janë siguruar nga “Opendata Albania” te transaksionet e thesarit. Vihet re që bumi më i lartë i shpenzimeve ka ndodhur gjatë 2023-shit, që shkon te mbi 160 mln lekë të vjetra. Për të qenë më të saktë në muajt e verës në Presidencë është bërë nami me udhëtime. Nuk e dimë nëse Begaj dhe stafi i tij kanë shfrytëzuar postin për të bërë pushime apo kanë udhëtuar për punë. /Pamfleti