
Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, ai serb Aleksandër Vuçiç, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s janë katër nga liderët ndërkombëtarë që u larguan më herët nga Tirana, ku po zhvillohen punimet e Samitit të Komunitetit Politik Europian.
Katër figurat e rëndësishme politike u nisën drejt aeroportit të Rinasit menjëherë pas drekës, e cila pasoi sesionin e parë të diskutimeve në të ashtuquajturën “Shtëpia e Europës”. Shkaku i largimit të parakohshëm nuk është bërë i ditur zyrtarisht, por vlen të theksohet se prania e tyre në samit zgjati vetëm disa orë.
Ndërkohë, pjesa tjetër e liderëve të Europës vijuan punimet në kryeqytetin shqiptar, duke i përcjellë një mesazh të qartë dhe të ashpër Rusisë për të ndalur menjëherë agresionin në Ukrainë. Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij, kërkoi një aleancë më të gjerë “përtej armatimit”, një ide që gjeti mbështetje të drejtpërdrejtë nga presidenti francez Emmanuel Macron, i cili theksoi se Bashkimi Europian duhet të veprojë si një bllok i bashkuar në mbrojtje të vlerave dhe sovranitetit europian.
Tirana për një ditë u kthye në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, mes bisedimeve për stabilitetin rajonal dhe sfidave globale – megjithatë, largimi i disa liderëve para kohe nuk kaloi pa u vënë re.
Lini një Përgjigje