
Pas vitesh në krah të Alex Soros, Edi Rama përpiqet të krijojë lidhje me administratën Trump, por një foto e gabuar në Mynih dhe një mesazh nga Uashingtoni i bllokojnë çdo derë. Sepse kjo histori nuk fshihet me një mungesë në Samit...
Në Samitin e BE-së që po zhvillohet në Tiranë, mungon një emër që deri dje ishte hijeshia e çdo tryeze ndërkombëtare në krah të Edi Ramës: Alex Soros. Personazhi që shfaqej në çdo forum të Ballkanit të Hapur, në çdo takim të BE-së me Shqipërinë, në çdo foto të rëndësishme, i ulur shpesh më afër se çdo ministër, më i privilegjuar se çdo përfaqësues zyrtar i shtetit shqiptar. Mungesa e tij në këtë samit nuk është rastësi. Është sinjal. Dhe për Ramën, është siklet.
Sepse për vite me radhë, Rama e ka ndërtuar profilin e tij ndërkombëtar mbi kornizën e “njeriut të Sorosit”. Me Alex-in në krah, me fondacionet e tij pas fjalimeve, me ndikimin e tij në mediat dhe diplomacitë që e ushqyen Rilindjen si projekt gjeopolitik perëndimor. Por sot, Edi Rama përpiqet ta fshijë këtë kapitull nga biografia e vet. Dhe arsyeja është një: Donald Trump është kthyer. Dhe bashkë me të, janë kthyer dosjet, kujtesa, dhe vijat e kuqe të administratës së re.
Që pas zgjedhjeve të nëntorit, Edi Rama ka nisur të largohet në heshtje nga Alex Soros, duke mos e ftuar më në asnjë aktivitet zyrtar dhe duke mos shpërndarë më asnjë foto me të. Kur të dy u takuan në Davos, më 21 janar 2025, ishte Alex që publikoi fotografinë me Ramën – si për t’i kujtuar publikut dhe Trumpistëve të Uashingtonit se lidhja ekziston ende. Rama, për herë të parë, heshti. Nuk postoi, nuk komentoi, nuk reagoi.
Por skenari i Ramës u dogj përsëri. Më 14 shkurt 2025, në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Alex Soros publikoi sërish një foto me Edi Ramën, të bërë në skutat e godinës ku zhvillohej konferenca, duke e ekspozuar si politikan që luan me dy porta: përmes Sorosit kërkon ndikim në Bruksel, ndërsa në prapaskenë përpiqet të afrohet me Trumpin. Ishte një goditje e heshtur, një hakmarrje simbolike që e vuri në siklet Ramën përpara të dy palëve.
Dhe goditja finale erdhi nga Shefja e Kabinetit të Donald Trump, Susan Wiles, e cila i dërgoi një mesazh të qartë ekipit të zv/presidentit amerikan JD Vance:
“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është kukull e Sorosit. I qëndroni sa më larg të jetë e mundur.”
Kaq mjaftoi që takimi që Rama kishte ëndërruar për javë të tëra me JD Vance të digjej brenda natës. Dhe me të, u dogj edhe ambicia për të hapur një faqe të re me administratën Trump, e cila tani ka shumë më pak durim për maskat e vjetra me buzëqeshje diplomatike.
Kjo është arsyeja pse Alex Soros nuk është në Tiranë për Samitin e BE. Nuk është se nuk do të ishte i mirëpritur. Është sepse Rama nuk guxon ta afrojë më publikisht. Sepse lidhja me Sorosin, nga mburojë, është kthyer në njollë politike që i mbyll dyer në Uashington dhe i rrezikon çdo tentativë për të hyrë në orbitën e re gjeopolitike.
Por gjithçka është shumë vonë. Sepse në arkivat digjitale të internetit, janë të gjitha fotot me “vëllain Alex”. Janë statuset me “njeriun që ndihmon Shqipërinë”. Janë fjalimet që e shpallnin Ramën si eksponent të strukturave globale të Sorosit, i pranishëm në çdo takim të Ballkanit, në çdo forum ku Shqipëria trajtohej si eksperiment i modelit “Open Society”.
Tani, kur erdhi momenti për t’u lidhur me Trumpin, Rama kërkon të harrohet ajo që e ka ndërtuar vetë për më shumë se një dekadë. Por historia politike nuk fal. Dhe skenat diplomatike nuk harrojnë. Njëherë Sorosist, gjithmonë Sorosist. Të paktën për Trumpin.
Dhe tani që Alex nuk është më në rreshtin e parë të fotove, Rama nuk ka me kë të fotografohet. Sepse Trump nuk e pranon. Dhe Sorosi nuk e fal./Pamfleti
Lini një Përgjigje