Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot për herë të parë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të rikthyer në detyrë numrin dy të qeverisë Belinda Balluku.
Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të rikthyer përkohësisht në detyrë zv.kryeministren Belinda Balluku.
Në podkastin “Flasim”, Rama tha se me këtë vendim u zbraps nga gjykata më e lartë e vendit një brutalitet allashqiptarçe në interpretimin e ligjit, ku sipas tij, kishte goditur rëndë organizmin demokratik të shtetit.
Rama u shpreh se Gjykata Kushtetuese ndali një veprim antikushtetues, ku kompetencat e Kryeministrit, Presidentit dhe Parlamentit ishin marrë nga një prokuror dhe një gjyqtar, duke e kthyer një proces ligjor në një gjyq me karakter politik dhe jashtë kornizës ligjore.
Kryeministri kërkoi gjithashtu një reflektim të gjerë ndërinstitucional, duke theksuar se ky rast duhet parë si pjesë e një problemi më të gjerë që lidhet me ushtrimin e papërgjegjshëm të pavarësisë së sistemit të ri të drejtësisë.
Më tej, Rama kritikoi ashpër dy shoqatat e gjyqtarëve të Shqipërisë për hapjen e një procesi gjyqësor me qëllim rritjen e pagave të tyre.
Ai e cilësoi këtë si marrje të kompetencave të qeverisë dhe parlamentit dhe si një shkelje të hapur të balancës kushtetuese mes pushteteve.
Rama tha se kërkesat për rritje pagash kapin shifra të konsiderueshme, rreth 1600 euro më shumë në muaj për gjykatat dhe prokuroritë e zakonshme dhe deri në 3100 euro më shumë në muaj për Gjykatën Speciale dhe SPAK-un, që sipas tij, përbën një precedent të rrezikshëm për funksionimin e shtetit dhe menaxhimin e buxhetit publik.
"Gjykata Kushtetuese hoqi pezullimin e zëvendëskryeministres dhe vendosi ta gjykojë çështjen në themel në fund të janarit. Në aspektin ligjor u eliminua një precedent unik në botë dhe u zbraps nga gjykata më e lartë e vendit një brutalitet allashqiptarçe në interpretimin e ligjit, i cili goditi organizmin demokratik të shtetit. Ndërsa në aspektin ndërinstitucional, kjo befasi antikushtetuese dhe antidemokratike, ku një prokuror dhe një gjykatës morën kompetencat e kryeministrit, presidentit, parlamentit, duke e tollovitur shtetin dhe duke e kthyer një proces ligjor në një gjyq partizan jashtë kornizës së ligjit, kërkon me domos një reflektim po kaq ndërinstitucional. Jo thjesht e vetëm mbi këtë rast, po në tërësi mbi simptomat shqetësuese të ushtrimit me papërgjegjshmëri të pavarësisë së pushtetit të ri të drejtësisë, duke e bërë në jo një rast kurën më të dëmshme sesa sëmundja që luftojmë bashkarisht.
Kjo shkrepëtimë nuk erdhi në qiell të pastër dhe nuk erdhi as e vetme, për fat të keq ose ndoshta për fat të mirë, sepse paralelisht me pezullimin antikushtetues të një ministri, u shpërfaq këtë herë jo falë një prokurori dhe një gjykatësi të vetëm, por falë dy shoqatave të gjyqtarëve të Shqipërisë, një tjetër brutalitet allashqiptarçe me hapjen e një gjyqi nga gjykatësit për të rritur pagat e tyre. Po po, e dëgjuat mirë, gjykatësit duan të rrisin vetë pagat e tyre. Jo për herë të parë fatkeqësisht, po për herë të dytë. Ata duan të marrin përsëri kompetencat e qeverisë dhe të parlamentit, duke u treguar jo thjesht të zgjedhurve, po vetë zgjedhësve, se mbi vullnetin e tyre dhe përtej kufijve kushtetues mes pushteteve qëndrojnë ata, togat e zeza të Shqipërisë, me pushtetin suprem të çekiçit të drejtësisë së pavarësuar nga politika tanimë dhe atë çekiç që Republika ua ka besuar për interesin e saj të lartë të drejtësisë së barabartë për të gjithë, ata mund ta përdorkan kur të duan për të hapur me dhunë edhe arkën e buxhetit të shtetit dhe për t'ia rritur rrogat vetes. Dhe sa? Përkatësisht 1600 euro plus në muaj për gjykatat dhe prokuroritë e zakonshme dhe 3100 euro plus në muaj për gjykatën speciale dhe SPAK-un", u shpreh Rama.
tik tak!