
Mjafton një hulumtim në rrjetet sociale për të kuptuar atë që po ndodh. Manastirliu në njërën anë shfaqet me bllok në dorë duke mbledhur ankesat e qytetarëve, më pas shfaqet duke takuar grupe interesi, ndërsa të mandatuarit e Berishës mbledhin strukturat dhe përpiqen t’i bindin që të punojnë në mbështetje të të pavarurit Binaj…
Gjykata Kushtetuese pezulloi mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë më 9 nëntor, pas një ankimimi të Kryebashkiakut Erion Veliaj, që u shkarkua nga detyra nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit Edi Rama.
Kushtetuesja ka njoftuar mbajtjen e një seance publike më 31 tetor dhe pavarësisht vendimit ajo që dihet me siguri është fakti se në 9 nëntor nuk do të mbahen zgjedhje në Tiranë. Referuar Kodit Zgjedhor, periudha kur mund të mbahen zgjedhjet vendore janë nga 15 prilli deri në 15 maj ose nga 15 tetori deri në 15 nëntor.
Kodi Parashikon se bëjnë përjashtim nga ky rregull rastet e parashikuara në pikat 5, 6, 7 dhe 8 të nenit 9 të këtij ligji. Dhe referuar secilës pikë të Kodit Zgjedhor, rasti i Tiranës nuk parashikohet nga asnjë prej tyre. Pra, praktikisht dhe ligjërisht, zgjedhjet e pjesshme në Tiranë do të mbahen në periudhën mes 15 prillit dhe 15 majit të 2026-ës.

Pas vendimit të Kushtetueses, KQZ njoftoi se kishte pezulluar përgatitjet për zgjedhjet në Tiranë, pra praktikisht edhe në aspektin teknik, institucioni që organizon zgjedhje, nuk do e ketë në vëmendje kryeqytetin.
Por ajo që bie në sy është fakti se as Edi Rama, Kryeministër dhe kryetar i PS-së, dhe as Sali Berisha, kreu i PD-së, nuk ndalin fushatën. Ekipi i mandatuar nga Rama për Tiranën vijon takimet në mbështetje të Ogerta Manastirliut, kandidates që do të përfaqësonte socialistët në garën e 9 nëntorit nëse në Tiranë do të mbaheshin zgjedhjet. Dhe po kështu edhe të mandatuarit e Sali Berishës vijojnë takimet me strukturat në mbështetje të Florjan Binajt, kandidatit të pavarur, që synon Bashkinë e Tiranës.
Kampet respektive publikojnë çdo ditë foto nga takimet, të shoqëruara me mesazhe mbështetjeje, madje me intensitet edhe më të lartë.

Mjafton një hulumtim në rrjetet sociale për të kuptuar atë që po ndodh. Manastirliu në njërën anë shfaqet me bllok në dorë duke mbledhur ankesat e qytetarëve, më pas shfaqet duke takuar grupe interesi, ndërsa të mandatuarit e Berishës mbledhin strukturat dhe përpiqen t’i bindin që të punojnë në mbështetje të të pavarurit Binaj.


Situata kthehet në komike për faktin se e gjithë vëmendja është përqëndruar në Tiranë, aty ku pas vendimit të Kushtetueses nuk do të ketë zgjedhje në 9 nëntor, ndërkohë që procesi i pjesshëm vijon në 5 bashki të tjera: Vlorë, Berat, Klos, Cërrik dhe Tepelenë. Të gjitha njësi që kontrollohen nga socialistët e Edi Ramës, por me përjashtim të Vlorës ku Kryebashkiaku u dorëhoq, në të tjerat, ata u kandiduan për deputetë dhe dorëzuan mandatet.
Pavarësisht se KQZ ka përcaktuar datën 1 nëntor si ditën kur nis fushata, askush nuk do të ndalonte Ramën dhe Berishën, apo të mandatuarit e tyre që këtë që po bëjnë në Tiranë, ta bënin në njësitë ku me 9 nëntor do të mbahen zgjedhjet. Palët kanë përcaktuar kandidatët, socialistët më të organizuar kanë nisur takime në terren, ndërsa demokratët dhe aleatët e tyre, të mpirë edhe nga rezultati i 11 majit, por edhe nga fakti se po mbështesin të pavarur, duket se janë ‘dorëzuar’ pa hyrë në garë.
Pavarësisht deklaratave publike të Berishës që përshëndeste vendimin e Kushtetueses, i cili në një farë mënyre i dha një frymëmarrje edhe opozitës duke mbajtur pezull zgjedhjet në Bashkinë më të madhe të vendit, në praktikë, duket se ata po e shpërfillin.
Dhe ndoshta po të ishte në dorën e tyre, Berishës dhe Ramës, do të gjenin ‘marrëveshjen’ për t’i mbajtur zgjedhjet, duke i hapur rrugën një drejtuesi të ri në Tiranë, pavarësisht se si do e ketë emrin. /Pamfleti
Lini një Përgjigje