Politike18 Qershor 2024, 17:45

Kushtetuesja rrëzon PD, nuk pezullon ligjin për profesionet e lira; vendimi final më 25 qershor

Shkruar nga Pamfleti

Kushtetuesja rrëzon PD, nuk pezullon ligjin për profesionet e lira;

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për pezullimin e ligjit për tatimin e profesionistëve të lirë.

Gjykata ju la afat palëve të sjellin argumente shtesë deri në 21 qershor, ndërkohë me 25 qershor do të jetë vendimi final nëse do shfuqizohet apo jo ligji ‘Për tatimin e profesionistëve të lirë’

Në seancën e hapur gjyqësore u shqyrtuan 4 paditë e bashkuara në një shqyrtim të vetëm që ka të bëjë me shfuqizimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, që nisi zbatimin për profesionet e lira nga 1 janari.

Në nisje te seancës avokati Marash Logu që përfaqëson deputetët e opozitës që kanë depozituar padinë ngriti shqetësimin se bashkimi i tre padive duket sikur kufizon objektin e tyre, që është shfuqizimi për të gjitha profesionet dhe jo për disa kategori.

Ne kemi kërkuar të shfuqizohet neni 24 pika 2, neni 69 pika 1 gërma dh, fjalia e dytë e ligjit 29/2023 për të gjitha profesionet e lira, ndërsa në objektin e rishikuar duket sikur ne kërkojmë vetëm për profesionet e kontabilistit, ekspertët kontabël dhe  ligjor dhe profesionet e avokatit. Në këtë kuptim duket sikur objekti i kërkimeve tona është reduktuar, megjithëse nuk ka një kërkim të tillë nga ana jonë. Pra nuk duam që të reduktohet kërkesa jonë. Në kërkesën që kanë bërë 1/5 e deputetëve të PD kërkohet shfuqizimi me efekt për të gjitha profesionet e lira dhe jo një kategori.

Kërkesat për pezullim duhet të merret parasysh, të shqyrtohet në një periudhë sa më të shpejtë. Kërkesa jonë është dorëzuar në shkurt të 2024, kanë kaluar 4 muaj dhe me kalimin e kohës edhe karakteri i urgjencës fillon të zbehet. Unë do kërkoja që për kërkesën që kanë të bëjnë me pezullimin e akteve ligjore të respektohet ajo që është afati i parashikuar në nenin 27 i rregullores, që parashikon një afat 10 ditor dhe vetëm në një rast përjashtimor mund të shtyhet”, tha Marash Logu.