“Shqipëria Bëhet” ka hyrë në ditën e saj të 18-të të protestës përpara Kryeministrisë, ndërsa organizatorët paralajmërojnë një demonstratë të madhe më 4 janar, ora 12:00, me kërkesë kryesore dorëheqjen e Edi Ramës dhe largimin e qeverisë aktuale.
Adriatik Lapaj, deklaroi këtë të enjte se vendi është zgjuar nga “vdekja klinike” dhe se qytetarët nuk mund të qëndrojnë më të heshtur përballë një pushteti që ka kapur çdo institucion.
“Sot kemi nisur organizimin për protestën e datës 4 janar. I madh e i vogël, nga çdo cep i vendit, nga çdo shtresë sociale, duhet të mblidhen përballë Kryeministrisë për të kërkuar fundin e një regjimi të kalbur nga korrupsioni,” u shpreh Lapaj, duke përmendur si shembull edhe fermerët e përmbytur që nuk kanë marrë ende dëmshpërblimet e premtuara.
Ai vuri theksin tek vala e protestave që ka shpërthyer në vend javët e fundit, duke thënë se ka më shumë lëvizje në këto 3 javë sesa ka pasur në 3 vitet e fundit. Sipas tij, heshtja dhe relativizimi i skandaleve, përfshirë atë të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ka ndihmuar në thellimin e mosbesimit të qytetarëve ndaj institucioneve.
“Këta thonë: ‘Edhe po iku Rama, kush do vijë?’. Po do vijnë njerëz të pakorruptuar, që nuk kanë rrënjët e kalbura të kësaj kaste politike. Tani të gjithë e dinë se edhe nëse vjedh, vjen një ditë që nuk ke shpëtim…”, theksoi Lapaj.
Lini një Përgjigje