Gazetarja Anila Hoxha ka ndarë detaje prekëse mbi historinë e një 34-vjeçareje, nënë e tre fëmijëve të vegjël, e cila u arrestua sapo mbërriti në Shqipëri për të vuajtur një dënim prej dy muajsh burg.
Sipas Hoxhës, gruaja kishte udhëtuar nga Gjermania, ku kishte sjellë në jetë dy fëmijët më të vegjël, ndërsa arrestimi u ekzekutua menjëherë në aeroport, pasi ajo ishte shpallur në kërkim për një vendim të dhënë në mungesë, lidhur me akuzën për dhunë në familje ndaj vjehrrit.
Fëmija më i madh i 34-vjeçares është vetëm 4 vjeç dhe vuan nga probleme shëndetësore, ndërsa dy të tjerët janë 2 vjeç dhe 7 muajsh. Sipas gazetares, drama më e madhe nuk ishte arrestimi, por fati i tre fëmijëve, për të cilët nëna lutej të mos ndahej.
Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Hoxha përshkruan dilemën me të cilën u përballën policia, prokuroria dhe autoritetet e burgjeve për zbatimin e vendimit të gjykatës.
"Një 34-vjeçare ka qenë gjatë gjithë ditës së sotme një ushtrim i vështirë për autoritetet. Jo sepse ajo ishte e kërkuar dhe u arrestua sapo mbërriti në aeroport. Jo sepse ishte e rrezikshme. Por për shkak të fëmijëve, njëri 4 vjeç i sëmurë, tjetri 2 vjeç dhe më i vogli afro 7 muajsh. Në kthim e sipër nga Gjermania, ku kishte lindur dy më të vegjlit, gruaja duhej arrestuar, sepse duhet të shlyente 2 muaj burg të shpallura në mungesë ndaj saj.
Akuza: dhunë në familje ndaj vjehrrit.
Problemi për policinë, më pas për prokuroren që lëshoi urdhrin e ekzekutimit dhe më pas për burgjet ishte: ku do të shkonin fëmijët e saj? Nëna kërkonte me insistim që fëmijët të qëndronin me të, sepse sipas saj nuk kishte ku t'i linte.
'Së paku fëmijën më të vogël ma lini', u lut ajo.
'Edhe 2-vjeçarin dua ta kem pranë', u përgjërua.
'Po edhe të tretin, se është i sëmurë.'
Prokurorja duhej të zbatonte vendimin. Gruaja duhet të shlyente 2 muajt e burgut.
Kuptohet, policia zbaton ligjin, nuk diskuton dot. Gjykata, nga ana tjetër, kishte folur me kohë. Derisa mbërriti babai dhe gjyshi. Edhe ai donte që gjendja të zgjidhej.
Por si të vepronin autoritetet? Ligji kërkonte zbatim. Gruaja duhej të mbyllej në burg.
Askush nuk e diskutoi që dënimi prej 2 muajsh burg përfshihet në ligjin e amnistisë. Por u vlerësua se ajo i ishte shmangur ekzekutimit të dënimit. Ndaj burg.
Zgjidhja: gruaja përfundoi në burgun e Pojskës.
Policët u ligështuan dhe qanë pak bashkë me të gjatë rrugës Tiranë-Pogradec.
Fëmijën më të vogël ia lanë në gji. Fëmija tjetër, 2 vjeç, pritet t'i dorëzohet nesër në burg.
Vjehrri, natyrisht, e ka falur.
Edhe shteti, me gjasë, e ka falur me amnistinë, por ajo sonte është në burg, në pritje që nesër t'i bashkohet edhe fëmija tjetër.
Ja pra, ligjet funksionojnë…", rrëfen ajo.
Pas publikimit të rastit, Avokati i Popullit ka dërguar një ekip në burgun e grave për të verifikuar situatën dhe për të shqyrtuar rrethanat e këtij rasti.
Lini një Përgjigje