
Ankimi i ish-kryebashkiakut në Kushtetuese bllokon dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme; Presidenti pritet të kërkojë interpretim, ndërsa vendimi bëhet jetik për lirinë e Veliajt dhe planin elektoral të Ramës.
Dërgimi i shkresës së Erion Veliajt në Gjykatën Kushtetuese nuk pezullon vetëm shkarkimin e tij, por rrezikon edhe zgjedhjet e parakohshme në Tiranë.
Qeveria i ka dërguar Presidentit Bajram Begaj shkresën për vakancat e kryetarëve të 6 bashkive, ku kreu i shtetit duhet të dekretojë zgjedhjet brenda 48 orësh.
Shkresa e firmosur nga Engjëll Agaçi duket si një mister më vete dhe krijon disa pikëpyetje. Kjo, pasi qeveria e mori vendimin për shkarkimin e Veliajt javën e kaluar. Mundej që menjëherë pas shkarkimit, Kryeministria t’ia dërgonte shkresën Presidencës, dhe kreu i shtetit do të duhej të përgjigjej shpejt, duke u konsultuar edhe me Kushtetuesen, e cila ende nuk kishte një ankim të depozituar.
Por, në mënyrë të çuditshme, shkresa e Kryeministrisë duket se ka pritur lëvizjen e avokatëve të Veliajt për të çuar ankimin në Gjykatën Kushtetuese, madje është dërguar 24 orë më pas.
Kjo vonesë hap dy dilema: ose Kryeministria ka pasur frikë të vepronte me nxitim, nga frika se mund të tërhiqej më pas, ose ka pasur një koordinim në distancë me Erion Veliajn.
Në fakt, Veliajt nuk i intereson të hapë sot një luftë frontale me Edi Ramën, pasi është në pozitë të pafavorshme. Megjithatë, ankimimi në Kushtetuese është i domosdoshëm për statusin juridik të tij.
Avokatët ndërkombëtarë të Veliajt kanë gati dosjen për ta dërguar në Gjykatën e Strasburgut, por që kjo të ndodhë, duhet të shterojnë të gjitha shkallët e gjykimit në Shqipëri, ku Kushtetuesja është finale.
Me vendimin që do të shpallë Kushtetuesja për shkarkimin, mbrojtësit ndërkombëtarë të Veliajt do të kenë “dritën jeshile” për të dorëzuar kërkesën në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Padia në Strasburg nuk merret me akuzat themelore të SPAK ndaj ish-kryebashkiakut, por me shkeljet e mundshme të të drejtave kushtetuese dhe ligjore të një zyrtari të zgjedhur me vota. Nga arrestimi, trajtimi nga SPAK dhe deri tek shkarkimi nga qeveria, Veliaj ka shanse të mira që të marrë një vendim pozitiv nga Strasburgu. Nëse gjykata konstaton se të drejtat e tij janë shkelur, ai mund të fitojë lirinë dhe të ndjekë çështjen nga shtëpia.
Veliaj nuk ka interes të përplaset tani me Ramën, sepse kjo do ta forconte kryeministrin, do të dobësonte opozitën dhe nuk do t’i sillte atij ndonjë përfitim politik.
Nga ana tjetër, Rama, nëse nuk shpallen zgjedhje të reja në Tiranë, i shembet e gjithë skema për bashkitë e tjera, pasi kryeqyteti është “copa e madhe e biftekut”.
Shkresa e Kryeministrisë e ka vënë në presion Presidentin, i cili, sipas të gjitha gjasave, do të pezullojë dekretimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme derisa të marrë një vendim paraprak nga Kushtetuesja.
Begaj pritet t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese interpretim nëse posti i kryetarit të bashkisë është apo jo vakant. Kushtetuesja mund të japë një vendim paraprak ku të thotë se posti konsiderohet vakant, ndërsa ligjshmërinë e shkarkimit të Veliajt ta shqyrtojë më vete. Një vendim i tillë do të shërbente si precedent për raste të ngjashme në të ardhmen.
Kjo pauzë, nga kërkesa për interpretim e Presidentit deri te dekretimi, mund të zgjasë të paktën dy javë. Pa Tiranën, shpallja e zgjedhjeve është e pamundur, përveçse nëse Kushtetuesja thotë ndryshe. Pra, jemi në një skemë “win-win”, ku:
1. Veliaj fiton kohë dhe vendimin e Kushtetueses për Strasburg,
2. Rama fiton zgjedhjet për të konfirmuar mbështetjen, dhe 3. Berisha fiton kohë për të hyrë në pazare me kryeministrin, duke përdorur oligarkët si ndërmjetës./Pamfleti
Ankimi në Gjykatën Kushtetuese pritej. Gjykata e Strasburgut do konstatoi që të drejtat e Kryebashkiakut janë shkelur. Kryebashkiaku shkon në "Arrest Shtëpie". Gjykimi në themel vazhdon në GJKKO. Z.Velija nga shtëpia, kordinon me qeverinë zgjedhjen e Kryebashkiakes së re Znj. Ogerta Manastirliu. Kandidates së opozitës do ti kenë 'vjedhur' votat. PD në shkëmbim të kompromisit do ti lënë 3 bashkitë .
Një poezi e Majakovskijt, dedikuar automatit të atehershëm, që luante shah me njeriun, (DIELLA sot) thoshte : “ shah vam i mat, Tavarish avtomat” etj……… As në nivelin e para 80 vjeteve të Rusisë nuk jemi.