
Ditën e sotme kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka folur për gazetarët për zhvillimet në PD.
Ai është pyetur nga gazetarët për zgjedhjen e Lulzim Bashës në Kuvendin Kombëtar kryetar grupi, Bardhi tregoi numrat dhe tha se Basha do duhet të fitojë besimin e 18 kolegëve.
“Z. Basha do duhet të fitojë besimin e 18 kolegëve, vota e 19 pro tij do të jetë e Gazment Bardhit.
Unë kam ftuar të gjithë deputetët e PD-së, Aleanca për Ndryshim, me vullnetin e mirë për të përcaktuar axhendën e përbashkët parlamentare. Të gjithë bashkë si deputetë të opozitës.
Unë ftoj secilin koleg të bëhet pjesë e atij takimi. Do jemi në një sallë për të diskutuar si ka funksionuar opozita për këto vite, për t’i dhënë fund asaj situate që na ka vënë në siklet në sallën e parlamentit”, deklaroi Bardhi.
I pyetur për thirrjen e ish-kryeministrit Sali Berisha për bashkëpunimin me demokratët, përjashtuar Bashën dhe Alibeajn dhe nëse do të marrë një rol si negociator, Bardhi tha se ai dëshiron të bashkojë demokratët.
“Roli im si kryetar i grupit parlamentar të PD-së është të unifikojë çdo deputet të PD në një qëndrim të përbashkët kundër Edi Ramës. Besoj se qytetarët nuk janë të prirur për të dëgjuar fjalën ndarje, por bashkim”., tha ai.