Sot bie “gongu i fundit” i fushatës elektorale për 11 majin dhe nesër hyjmë në heshtje zgjedhore.
Pas një muaji zhurmë, premtime, koncerte shterpë dhe retorikë të lodhur, dy partitë kryesore mbyllin sot garën për votën e qytetarëve shqiptarë. Si gjithmonë, spektakli përmbyllës zhvillohet në Tiranë, kryeqyteti që shërben si skena finale për Edi Ramën dhe Sali Berishën.
Partia Socialiste e Edi Ramës do të organizojë mitingun e saj përmbyllës pranë Parkut Olimpik në orën 19:30, në një aktivitet ku më shumë rëndësi kanë skenografia dhe efektet vizuale sesa mesazhi politik. Rama kërkon mandatin e katërt, si të ishte një drejtues shteti me vizion historik, ndërkohë që realiteti në terren flet për largime masive nga vendi, korrupsion pa frena dhe një administratë që i shërben më shumë partisë sesa shtetit.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Sali Berishës, po, ende ai pas një viti sfidues për të personalisht, mbyll fushatën në Bulevardin e Ri në orën 19:00.
Me sloganin “Shqipëria Madhështore”, por me fytyra të ricikluara dhe me një drejtues që është simbol i së shkuarës, PD kërkon rikthimin në pushtet, pa reflektuar as për dështimet e saj, as për arsyet pse u përjashtua nga besimi i qytetarëve.
Në këtë mes, për herë të parë në mënyrë më të theksuar, kanë hyrë në garë edhe partitë e reja që synojnë të thyejnë duopolin PS-PD dhe të fusin në Kuvend një zë ndryshe. Por në një sistem të ndërtuar për t’i shërbyer të mëdhenjve, këto forca përballen me mungesë financimesh dhe një administratë zgjedhore që i sheh me dyshim.
Megjithatë, entuziazmi që kanë sjellë në një pjesë të elektoratit, veçanërisht tek të rinjtë dhe të zhgënjyerit, nuk është për t’u nënvlerësuar.
E shtuna, 10 maj, shënon heshtjen zgjedhore, ku ligjërisht ndalohet çdo lloj aktiviteti politik. Por, siç ndodh rëndom në Shqipëri, heshtja është vetëm në letër pasi telefonatat, presionet, pazaret dhe thirrjet nën rrogoz vazhdojnë me intensitet të shtuar.
Më 11 maj, rreth 3 milionë shqiptarë janë të thirrur të votojnë për Kuvendin e ri. Për herë të parë në histori, pjesë e këtij procesi janë edhe 245 mijë shqiptarë të diasporës, që janë regjistruar për të dhënë votën nga jashtë vendit. Ajo diasporë që politika shqiptare zakonisht e kujton vetëm për remitanca dhe për ta shfrytëzuar në fjalime patetike.
Por çfarë zgjedhjesh janë këto në thelb?
Shqiptarët janë të ndarë: një pjesë e besojnë ende premtimin e reformave dhe integrimit në BE; një pjesë tjetër janë thjesht të lodhur, të zhgënjyer dhe ndoshta as nuk do shkojnë në votime.
Ndërkohë, aktorët kryesorë e dinë mirë se kjo është më shumë se një fushatë. Është një luftë për mbijetesë politike, për pushtet dhe kontroll të institucioneve. Rama kërkon përjetësinë në pushtet. Berisha kërkon hakmarrjen e fundit politike. Ndërsa qytetarët e zakonshëm janë kthyer në spektatorë të një shfaqjeje që e njohin përmendësh, por s’mund ta ndalin dot.
Zgjedhjet e 11 majit nuk janë as të para, as të fundit në këtë tranzicion pa fund. Por mbeten një provë tjetër për një vend që prej 30 vitesh kërkon ndryshimin dhe përherë përfundon me të njëjtët aktorë në skenë. A do jetë ndryshe kësaj here me partitë e reja? Rezultatin do ta shohim të hënën e 13 Majit/ Pamfleti
Lini një Përgjigje