TAGS-AT E JAVËS

Politike26 Qershor 2025, 17:37

Mbyll ciklin komisioni “Braçe”, mister dhe pikëpyetje mbi fatin e komisionit “Xhafaj”!

Shkruar nga Pamfleti
Mbyll ciklin komisioni “Braçe”, mister dhe pikëpyetje
Komisionet "Xhfaj"-"Braçe"

A do të vijojë misioni i PS kundër reformës në drejtësi?

14 muaj pas krijimit, komisioni “Braçe” duket se ka mbyllur misionin e tij, por ka shumë mister dhe pikëpyetje se çfarë do të ndodhë me komisionin “Xhafaj”.

Të dy komisionet u sollën si risi nga Edi Rama, duke pretenduar të luftojë dezinformimin dhe korrupsionin. Braçes iu dha drejtimi i një komisioni për të censuruar mediat, ndërsa Xhafaj mori drejtimin e një komisioni që ka si qëllim të rivalizojë drejtësinë, pse jo dhe ta kufizojë.

Pas pauzës së zgjedhjeve, sot u mblodh komisioni i Braçes duke prodhuar projektligjin për “Miratimin e Strategjisë Kombëtare kundër Ndërhyrjeve të Huaja dhe Dezinformimit”. Pas votës pro në komisionet përgjegjëse parlamentare, dokumenti do të votohet në Kuvend në mbledhjen e tij të fundit më 3 korrik.

Strategjia Kombëtare Kundër Ndërhyrjeve të Huaja dhe Dezinformimit 2025-2030 është dokumenti i parë gjithëpërfshirës në Shqipëri që adreson drejtpërdrejt fenomenet e FIMI. Ajo synon të përcaktojë një platformë të unifikuar veprimi, ku përfshihen objektivat, prioritetet dhe masat kryesore për mbrojtjen e shtetit, shoqërisë dhe qytetarëve nga ndërhyrjet e huaja keqdashëse, përfshirë dezinformimin. Strategjia respekton plotësisht shtetin e së drejtës dhe liritë kushtetuese – ajo mbështetet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, legjislacionin kombëtar dhe konventat ndërkombëtare ku Shqipëria është palë”, tha Erion Braçe.

Por, teksa ky komision e mbylli punën e tij, ka shumë pikëpyetje mbi komisionin Xhafaj. Afati i tij është deri më 30 korrik dhe ky komision nuk ka prodhuar asnjë dokument final, teksa nuk ka asnjë të dhënë për mbledhjen e tij. Ndërkohë që më 8 korrik mbyllet kjo legjislaturë parlamentare.

Vetë Rama ka dhënë sinjale se komisioni do të vijojë në shtator dhe ndoshta me anëtarë të rinj, pasi disa prej anëtarëve aktualë nuk do të jenë më deputetë. Nga ana tjetër, me gjasë opozita do të vijojë bojkotin, por Ramës nuk i duhet më vota e saj.

Në shtator, PS shkon në Kuvend me 83 mandate (nëse nuk ndryshon gjë nga rinumërimi i votave) dhe ka votat e nevojshme për të bërë ndryshime në të gjitha ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar.

Shumë ekspertë kanë propozuar ndryshime në shumë ligje dhe ridimensionim të institucioneve të pavarura. Ka pasur ide për shkrirjen e ILDKP-së, KLSH-së dhe krijimin e një gjykate auditi. Po ashtu, ka zëra edhe për ngritjen e një organi që do të kontrollojë SPAK-un.

Duhet të presim legjislaturën e re për të parë nëse Rama do të vijojë t’i besojë Xhafajt, apo është tërhequr pas paralajmërimeve nga SHBA dhe BE. /Pamfleti

Lini një Përgjigje