Kryeministri Edi Rama ka ndarë me ndjekësit e tij në rrjetet sociale një video nga Haga, atje ku do të zhvillohet sot, 14 shtator, protesta në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
"Liria ka emër! Me zemër e mendje jam edhe unë atje sot, Komandant! Liri për çlirimtarët!”, shkruan Rama nw postim.
Protesta do të nisë në orën 14:00 për të kërkuar drejtësi dhe lirimin e çlirimtarëve, ndërsa kryeministri shprehu mbështetjen e tij të plotë për ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e lirimit të tyre dhe respektit për kontributin e tyre historik.
Organizatore e protestës është diaspora, e mbështetur nga organizata të dala nga lufta.
Ata thonë se ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe të tjerët, po mbahen padrejtësisht në Hagë për 5 vite me radhë dhe se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, e pastër dhe çlirimtare.
Kjo protestë është mbështetur edhe nga shumë parti politike dhe individë me influencë, si në Kosovë, Shqipëri, ashtu edhe në diasporë.
Autoritetet holandeze nuk kanë dhënë lejen që protesta të mbahet pranë godinës së Gjykatës, por ajo do të zhvillohet në një shesh jo shumë larg. Të hënën, më 15 shtator, fillon procesi i nxjerrjes së dëshmitarëve të palës mbrojtëse, ku priten disa nga autoritetet e larta të kohës së luftës. Dëshmitari i parë pritet të jetë James Rubin nga Shtetet e Bashkuara.

Lini një Përgjigje