
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka sqaruar pozicionin e ligjvënëses Mesila Doda, e cila vjen nga radhët e PDIU-së, por e fitoi mandatin nga lista e sigurt e koalicionit PD-Aleanca Shqipëria Madhështore në zgjedhjet e 11 majit.
Bardhi u shpreh se deri në këtë moment, PD është në koordinim të përditshëm me të gjithë aleatët, ndërsa kur u pyet nëse ky koordinim vlen edhe për PDIU ai tha: “Absolutisht po”.
Sipas Bardhit, regjistrimi i Dodës si deputete e pavarur është procedurë normale parlamentare në kushtet kur subjekti politik që ajo përfaqëson nuk i ka 7 deputetë për të formuar një grup parlamentar.
Ai shtoi se ka pasur bisedë telefonike me Mesila Dodën dhe kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizin ndërsa kanë diskutuar për vijueshmërinë e aksionit opozitar në Parlament.
“Zonja Doda nuk është deputete e PD. Ajo është deputete e PDIU dhe është në Kuvendin e Shqipërisë si deputete e asaj force politike. Duke qenë se nuk ka grup parlamentar pasi ka vetëm një deputet ajo parti, zonja Doda është regjistruar si deputete e pavarur. Është procedurë normale parlamentare. Krejt normale. Nëse e kujtoj saktë vetëm dje mund të kem folur mbi 30 minuta për çështje që lidheshin me atë që po ndodhte në sallën e Kuvendit edhe me kryetarin e Partisë dhe me zonjën Doda që përfaqëson atë parti në Kuvend. Dhe kemi shkëmbyer mendime se si do të silleshim në atë seancë. Me atë akt antikushtetues që po kryente mazhoranca. Zonja Doda në dijeninë time është deklaruar si deputete në opozitë me qeverinë e Edi Ramës”, tha Bardhi në “A2 CNN”.
Lini një Përgjigje