Merret vendimi në selinë e PS, nisin procedurat për shkarkimin e Veliajt...
Këshilli Bashkiak i Tiranës do të mblidhet ditën e martë për të shyrtuar shkarkimin e Erion Veliajt si kryetar bashkie.
Vendimi është marrë pak më parë në selinë e PS, ku këshilltarët e majtë u mblodhën për të diskutuar mbi ultimatumin që u dha Edi Rama më 11 shtator.
Kreu i PS kërkoi që ata të votojnë shkarkimin e Veliajt dhe të hapet rruga për zgjedhje të reja në kryeqytet.
Pas këtij ultimatumi, ata u mblodhën sot pasdite në seli, ku diskutuan mbi mënyrën se si do të veprohet. Vetë Rama nuk ishte i pranishëm, duke qenë se ndodhet në Bruksel. Mbledhja u drejtua nga kreu i këshilltarëve të majtë, Eridian Salianji dhe kryetarja e këshillit, Megi Fino. Në fund u vendos që të bëhet një kërkesë për shkarkimin e Veliajt dhe duket se mbledhja ku do të bëhet diskutimi dhe me gjasë votimi, do të jetë të martën e javës që vjen, më 23 shtator.
Argumenti kryesor që do të përdoret në këtë kërkesë është neni 62, pika c e ligjit për qeverisjen vendore, i cili parashikon shkarkimin për mosparaqitje në detyrë për një periudhë tremujore të pandërprerë.
Në këtë mbledhje do të shihen dy elemente:
Së pari, nëse PD do të bëhet pjesë e lojës së Ramës. Vetë PD ka kërkuar shkarkimin e Veliajt, por nëse bashkon votat me PS, atëherë nuk ka më asnjë dyshim se kemi një aleancë fluide Rama-Berisha.
Së dyti, do të shohim nëse të gjithë këshilltarët do t’i binden Ramës. Ka shumë emra që aty i ka futur Veliaj dhe të shohim nëse ata do t’i kthejnë kurrizin kryetarit. Këshilli ka 61 anëtarë dhe PS ka 34 vota. Mjaftojnë 4 vota kundër dhe plani dështon, gjithmonë nëse opozita nuk merr pjesë.
Por duket se ky vendim do të hapë një luftë të re Rama-Veliaj. Burimet nga ekipi ligjor i kryebashkiakut në detyrë bëjnë të ditur se ata do t’i drejtohen Kushtetueses në rast shkarkimi.

Argumentet e tyre përqendrohen në faktin se Veliaj nuk mund të shkarkohet për sa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë kundër tij dhe për sa kohë nuk është arrestuar në flagrancë duke kryer një krim në detyrë. Në momentin që bëhet ankesa, vendimi pezullohet.
Derisa të marrë vendimin Gjykata Kushtetuese, vendimi i qeverisë është i pezulluar dhe nuk ka zgjedhje. Pra bie plani i Ramës.
Këshilli do ta shkarkojë Veliajn me argumentin se nuk ka shkuar në detyrë më shumë se 3 muaj. Por ligji shprehet se ai duhet të thirret në Këshill dhe të pyetet. A do ta zbatojë këshilli këtë dispozitë, duke qenë se ai ndodhet në qeli? Pra duket se me shkarkimin e Veliajt do të nisë një betejë e fortë juridike. /Pamfleti
Lini një Përgjigje