Kuvendi i ri me 15 parti parlamentare, deputetë të PD “huazohen” për të krijuar grupe fiktive, ndërsa partitë e vogla përfitojnë zyra, staf dhe fonde publike...
Sali Berisha e ka kthyer opozitën e re në një pazëll interesash financiare, duke shpërndarë Partinë Demokratike në copëza për t’i garantuar aleatëve të tij jo vetëm mandate, por edhe financime dhe privilegje në Kuvend.
Nga Ilir Meta te Fatmir Mediu, e deri tek partitë fantazmë si Balli Kombëtar Demokrat apo Lëvizja e Legalitetit, të gjithë kanë përfituar përmes një skeme të thjeshtë: deputetë të PD që regjistrohen si përfaqësues të këtyre subjekteve, duke i kthyer ato në parti parlamentare me të drejtë fondesh dhe përfaqësimi.
Në zgjedhjet e 11 majit, vetëm 6 subjekte arritën të siguronin mandate. Por sot, sipas të dhënave zyrtare, në Kuvend janë 15 parti parlamentare. Rritja artificiale vjen si pasojë e manovrave të Berishës, i cili ka shpërndarë “huazime” deputetësh për aleatët e tij. Kjo bën që Kuvendi të ketë një opozitë të fragmentuar në grupe të shumta, të cilat nuk përfaqësojnë realisht votën e qytetarëve, por janë krijuar për të siguruar përfitime financiare e politike për kryetarët e partive të vogla.
Shembulli më i qartë është Partia e Lirisë. Meta arriti të fusë në Kuvend vetëm 4 deputetë nga lista e mbyllur. Por Berisha i dha hua 3 deputetë të PD-së: Ina Zhupën, Ledina Aliollin dhe Klodiana Çapjen. Kështu, PL arriti numrin magjik prej 7 anëtarësh për të formuar grup parlamentar. Ky grup merr një zyrë më vete në Kuvend, staf ndihmës, më shumë minuta për të folur në seanca plenare, si dhe të drejtë përfaqësimi në komisione dhe delegacione ndërkombëtare. Një favor i pastër për një parti që ndodhet në krizë të thellë politike, ndërkohë që kryetari i saj, Ilir Meta, është në telashe serioze me drejtësinë.
Një tjetër “qokë” është bërë për Fatmir Mediun. Me vetëm një mandat nga PR, ai nuk do të kishte asnjë shans për të pasur grup parlamentar. Por falë Berishës, Mediu ka marrë deputetë nga PD dhe i është bashkuar me Vangjel Dulen e PBDNJ, duke kompletuar numrin e nevojshëm. Në këtë grup janë futur edhe figura si Greta Bardeli, Denisa Vata, Zija Ismaili e Fidel Kreka, të gjithë të zgjedhur nga listat e PD-së, por që tani do të funksionojnë në shërbim të aleatëve.
Por loja nuk mbaron këtu. Përveç PL, PAA, PR, PDIU dhe PBDNJ-së, sot si parti parlamentare figurojnë edhe Balli Kombëtar Demokrat, Lëvizja e Legalitetit, Partia Demokristiane dhe Fryma e Re Demokratike. Këto subjekte nuk kanë hyrë në Kuvend me vota të qytetarëve, por me manovra në letra. Deputetët demokratë Besard Xhaferi, Denisa Vata, Greta Bardeli dhe Klevis Balliu janë regjistruar si përfaqësues të këtyre partive, duke i dhënë statusin e “partive parlamentare” dhe për pasojë edhe financimin shtetëror që ligji garanton për çdo subjekt me deputet në Kuvend.
Ligji përcakton se çdo parti parlamentare merr fonde publike në bazë të numrit të deputetëve dhe të votave të fituara. Për shumë nga këto parti të vogla, kjo është mënyra e vetme për të siguruar para në arkat e tyre, pasi realisht nuk kanë as votues dhe as strukturë. Me këtë skemë, Berisha ka garantuar që aleatët të mos e braktisin, duke i bërë pjesë të një rrjeti që ushqehet me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Në thelb, kjo është një deformim i përfaqësimit parlamentar. Në vend të një opozite të konsoliduar, Kuvendi ka tani një tufë partish të vogla që mbijetojnë falë deputetëve të PD-së. Kjo i jep Berishës pushtet mbi ta, ndërsa atyre u siguron zyra, staf, minuta në foltore dhe mbi të gjitha – financa qyl nga buxheti i shtetit.
Grupi i Partisë së Lirisë: Tedi Blushi, Erisa Xhixho, Edmond Haxhinasto, Brunilda Haxhiu + Ina Zhupa (PD), Ledina Aliolli (PD), Klodiana Çapja (PD).
Grupi i Partisë Republikane: Fatmir Mediu (PR), Vangjel Dule (PBDNJ), Greta Bardeli (PD), Denisa Vata (PD), Zija Ismaili (PD), Artan Luku (PAA), Fidel Kreka (PD).
(Mesila Doda e PDIU-së ka refuzuar të bëhet pjesë e këtij grupi).
Partitë e vogla me deputetë qyl: Partia Balli Kombëtar Demokrat, Lëvizja e Legalitetit, Partia Demokristiane dhe Fryma e Re Demokratike. (Besard Xhaferi, Denisa Vata, Greta Bardeli dhe Klevis Balliu). /Pamfleti
Lini një Përgjigje