Politike16 Tetor 2023, 11:01

Mikesha Meloni 'tradhton' Ramën, dërgon zëvendësin në Tiranë për samitin e Procesit të Berlinit

Shkruar nga Pamfleti
Mikesha Meloni 'tradhton' Ramën, dërgon zëvendësin
Rama dhe Meloni

Ditën e sotme, 16 tetor, në Tiranë do të mblidhen liderët e Bashkimit Evropian në kuadër të Procesit të Berlinit.

Në takim do të mungojë mikesha e kryeministrit Rama, homologia italiane Giorgia Meloni, e cila do të përfaqësohet nga zv.kryeministri, Antonio Tajani.

Edhe presidenti francez Emmanuel Macron shtyu pjesëmarrjen në samit për të mbërritur në Tiranë ditën e sotme, për shkak të sulmeve terroriste në Francë, ku një mësues u vra në veri të vendit.

Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të BP në Bashkimin Evropian. Ai filloi dhe u prezantua në 28 Gusht 2014, nga kancelarja gjermane Angela Merkel. Qëllimet e Procesit u përshkruan në Deklaratën Përfundimtare nga Kryesia Gjerman:

“Të bëjmë progres shtesë real në procesin e reformës, në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura bilaterale dhe të brendshme dhe në arritjen e pajtimit brenda dhe midis shoqërive në rajon”, si dhe të rrisim “bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe të hedhim bazat për një rritje të qëndrueshme”, deklaroi Merkel asokohe.

Procesi i Berlinit po zhvillohet me mbështetjen e Komisionit Evropian, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shteteve anëtare të përfshira në Proces – Austri, Kroaci, Francë, Gjermani, Itali, Slloveni dhe Mbretëria e Bashkuar së bashku me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai është ndihmë shtesë e procesit institucional të integrimit në BE të shteteve, bazuar në miratimin e “acquis-communautaire”.

 

giorgia meloni samititi i tiranës