Këtë të enjte, Kuvendi nisi punimet me një minutë heshtje në nder të gjyqtarit të vrarë në sallën e gjyqit, por debatet po bëhen edhe më të "nxehta" minutë pas minute.
Pasi deputetët e opozitës kërkuan edhe dorëheqjen e ministres së Brendshme, ka reaguar edhe kjo e fundit.
Koçiu i tha opozitës se nuk është përgjegjëse për vrasjen, por gishtin e drejtoi nga opozita duke e akuzuar për gjuhën linçuese ndaj gjyqtarëve.
"Ju e dini se një pjesë e juaja janë jurist këtu, nëse do kishte përgjegjësi një polic sot do ishte në arrest. Produkti i kësaj reforme janë edhe ndarjet e qarta të përgjegjësi, përgjegjëse nuk jam unë për ju për gjithë këtë gjuhë që përdorni. Ja dëshmia e qartë se gjuha juaj, që sjell vetëm urrejtje. Turp të kesh , nga mëngjesi në darkë, duhet të kishit ndryshyar narrativën politike. E ke treguar sa me ndershmëri e ke bërë detyrën si ministër i brendshëm.", tha Koçiu.
Ishte kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi i pari kërkoi dorëheqjen e ministres së Brendshme, Albana Koçiu.
“Kjo seancë duhej të ishte hapur me dorëheqjen e Ministres së Brendshme. Është e papranueshme që një gjyqtar të vritet në sallën e gjyqit, teksa lexon vendimin e tij gjyqësor. Ministrja gënjeu publikisht kur tha se Policia e Shtetit nuk ka detyrime për të garantuar sigurinë në institucionet e drejtësisë. Sipas ligjit, është detyrë e Policisë së Shtetit të garantojë sigurinë në këto institucione. KLGJ e nxori zbuluar Ministren, kur publikoi shkresat që kërkonin ndihmën e Policisë.Kjo çështje nuk mund të kalojë si një ngjarje dite apo jave. Ministrja e Brendshme duhet të japë dorëheqjen. Kryeministri duhet të japë shpjegime për masat e sigurisë në gjykata”, tha Bardhi.
Edhe kreu i opozitës, Sali Berisha ka bërë një replikë në Kuvend, sa i takon deklaratave për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja. Ai tha se ministrja Koçiu doli zbuluar nga KLGJ, ndërsa ai e cilësoi ministren si mashtruese.
Berisha iu referua deklaratës së dhënë prej Koçiut se policia nuk ka asnjë lidhje me mbrojtjen në gjykata.
Deklarata e Koçiut erdhi pas vrasjes së gjykatësit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit.
Ministrja e Brendshme, pas ngjarjes së rëndë të vrasjes me armë të gjyqtarit Astrit Kalaja në ambientet e brendshme të Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm të Apelit, Tiranë lau duart dhe hoqi përgjegjësinë dhe deklaroi se Policia nuk ka përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve dhe sigurinë brenda godinave të gjykatave.
Lini një Përgjigje