Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala ka folur për sfidat dhe prioritetet e saj në drejtimin e sistemit shëndetësor shqiptar, gjatë një interviste në podcastin “Flasim” të kryeministrit Edi Rama.
Duke folur për menaxhimin e strukturave të shëndetësisë, Evis Sala ministrja e re e kabinetit "Rama 4" thotë se drejtuesit e spitaleve nuk janë mjekë, por e kundërta mund të ndodhë në ato spitale ku jepen shërbime të caktuara.
“Drejtorët e mirëfilltë të spitaleve në përgjithësi nuk janë mjekë. Nëse bashkëpunohet mirë me shefat e departamenteve, të shërbimeve, s’ka pse drejtori të jetë mjek. Më mirë biles që nuk është mjek, kjo për spitalet e mëdhaja. Spitalet më të vogla, më të specializuara mundet që drejtori të jetë mjek sepse ka atë specialitet, sepse spitali është i fokusuar në një patologji të caktuar”, tha ajo.
Cilat janë gjërat të cilat duhen vëmendje të shtuar? Ministrja sqaron se ka menduar riformimin e fondit të sigurimeve shëndetësore, por gjithashtu një rëndësi të veçantë i kushtoi problemeve të onkologjikut lidhur me barnat. Sala shprehet se ndjen si përgjegjësi rregullimin e sistemit të trajtimit onkologjik, si dhe aksesit të plotë të barnave të këtij shërbimi, sipas një protokolli të caktuar.
“Janë disa gjëra kryesore që unë kam menduar. Nuk janë gjëra që mund të arrijnë efektin final në një vit, sepse i shoh si gjëra që do kenë indikatorë që do plotësohen pas disa muajsh, pas një viti… por efekti final do jetë në katër vjet.
Një nga gjërat kryesore është riformimi I atij që quhet fondi i sigurimeve, sepse duhet vërtetë të rregullojmë mënyrën se si menaxhohet mjekësia.
Mjekësia ka një kosto, është falas tek qytetarët, por nuk është falas. Ndërtimi i një sistemi që përfshin koston, përfshin sigurimet, transparencën, është shumë i rëndësishëm për të pasur një sistem shëndetësor që pastaj barazohet me rezultatet, sepse duhet të ikim nga buxhetet historike.
Një nga pikat e tjera, që kam dhe një lloj përgjegjësie personale ngaqë vij nga fusha e kancerit, nga fusha e onkologjisë, dhe ajo që është e prekshme për të thënë të drejtën, është trajtimi onkologjik, aksesi i plotë në barnat onkologjike, por me një protokoll të caktuar“, tha ajo.
Edhe ministries nuk duhet te jete mjeke. Ajo zgjidhet nga politika. Por drejtorat e drejtorive duhen te jene specialiste mjek.